Abramovich në mesin e shtatë oligarkëve rusë të sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar
Pronari i Chelsea, Roman Abramovich është në mesin e shtatë oligarkëve rusë të sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Sport
Miliarderit rus Roman Abramovich, raportohet se i janë ngrirë të gjitha asetet që i posedon në Angli pasi ai është i lidhur me një person që ka qenë i përfshirë në destabilizimin e Ukrainës.
Si rezultat i kësaj është bllokuar edhe shitja e Chelseat, klubi nga i cili ai dha dorëheqje ditë më parë pikërisht pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, përcjellë lajmi.net.
Në një dokument të lëshuar nga ‘Zyra e Zbatimit të Sanksioneve Financiare’, bëhet e ditur se rusi është i lidhur me një person që ka qenë i përfshirë në destabilizimin e Ukrainës si dhe ka minuar e kërcënuar integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, përkatësisht Vladimir Putinin, me të cilin Abramovich ka pasur një marrëdhënie të ngushtë.
Javën e kaluar, ai njoftoi synimin e tij për të shitur klubin e futbollit Chelsea, të cilin e kishte në pronësi për gati 20 vjet. Por tani, asetet e tij, përfshirë Chelsean, janë ngrirë dhe shitja nuk do të mund të bëhet.
Chelsea-t i është dhënë një licencë speciale për të vazhduar aktivitetet e lidhura me futbollin, por shitja e klubit tani është e pamundur./Lajmi.net/