Hamza takon eurodeputetin Terras: Kosovës i duhen institucione funksionale dhe rikthimi i besimit të partnerëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe tejkalimin e ngërçit institucional. Sipas një komunikate të PDK-së, Hamza e falënderoi Terrasin për angazhimin e tij të…

Lajme

07/07/2026 12:20

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe tejkalimin e ngërçit institucional.

Sipas një komunikate të PDK-së, Hamza e falënderoi Terrasin për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se ai konfirmon se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe mbështet aplikimin e vendit për anëtarësim.

Në takim u vlerësua se raporti i Parlamentit Evropian përbën një mesazh të rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht është edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.

Hamza theksoi se PDK-ja ndan shqetësimin e shprehur në raport lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë.

Ai u shpreh se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, citohet të ketë thënë Hamza.

Kreu i PDK-së shprehu gjithashtu mirënjohje për rolin e eurodeputetit Riho Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe aspiratave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /Lajmi.net/