Arrestohet 15-vjeçarja që dhunoi shoqen në Fier, dërgohet në një institucion të shëndetit mendor

Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale dhe interesimit të lartë të opinionit publik lidhur me videon e publikuar për një ngjarje të ndodhur më 8 qershor, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dhënë sqarime mbi veprimet e ndërmarra nga autoritetet për rastin e dhunimit të një 17-vjeçareje. Sipas Policisë, më 8 qershor, e mitura…

Lajme

07/07/2026 12:23

Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale dhe interesimit të lartë të opinionit publik lidhur me videon e publikuar për një ngjarje të ndodhur më 8 qershor, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dhënë sqarime mbi veprimet e ndërmarra nga autoritetet për rastin e dhunimit të një 17-vjeçareje.

Sipas Policisë, më 8 qershor, e mitura është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier së bashku me nënën e saj, ku ka denoncuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje, L. L., nga kjo e fundit dhe dy vajza të tjera 15-vjeçare.

Pas kallëzimit, sipas njoftimit, strukturat e Policisë Fier kanë nisur menjëherë veprimet procedurale dhe hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, duke mbledhur të dhëna dhe duke marrë në pyetje personat e përfshirë në ngjarje.

Gjatë hetimeve janë shoqëruar në Komisariat 19-vjeçarja L. L. dhe dy 15-vjeçaret, të cilat, sipas Policisë, kanë pranuar se kishin ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares për motive të dobëta.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, më 9 qershor, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, ndaj tre shtetaseve të përfshira.

Ndërkohë, më 28 qershor, njëra prej 15-vjeçareve është arrestuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në koordinim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Arrestimi erdhi pas kallëzimit të nënës së saj, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga vajza e saj dhe kishte pësuar dëmtime fizike.

Pas procedurave ligjore dhe vlerësimit të autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja është dërguar për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.