Karriera e bujshme e Kylian Mbappes në moshën 22-vjeçare

Ylli francez, Kylian Mbappe arriti të regjistrojë edhe një titull në koleksionin e tij, pas triumfit të mbrëmshëm me Francën në finalen e Ligës së Kombeve ndaj Spanjës.

Sport

11/10/2021 17:43

Sulmuesi ishte i mahnitshëm në gjysmëfinale dhe finale të këtij kompeticoni, duke regjistruar nga një gol e asist ndaj Belgjikës në fitoren 3-2 në gjysmëfinale, e duke e bërë të njëjtën edhe në finalen ndaj Spanjës në fitoren 2-1.

Kylian Mbappe tashmë posedon një mori trofesh, por ajo çfarë e veçon më shumë janë padyshim çmimet e tij të shumta individuale që i ka rrëmbyer deri më tani.

22-vjeçari në karrierën e tij seniore të deritashme ka zhvilluar 293 paraqitje me klube dhe kombëtare, duke regjistruar plot 182 gola e 83 asistime të tjera.

Përveç kësaj, Mbappe ka fituar plot katër herë titullin e ligës së Francës, si dhe është zgjedhur tri herë lojtari më i mirë i ri i vitit në kampionatin francez, e po ashtu është zgjedhur dy herë lojtari më i mirë i vitit në kampionat.

Ai gjithashtu është zgjedhur dy herë futbollisti më i mirë i vitit i Kombëtares së Francës, është përfshirë dy herë në formacionin më të mirë ‘World’s best XI’, ka fituar çmimin e ‘Djaloshit të Artë’ në çmimin që jepet Topi i Artë për të rinjtë, si dhe është kampion bote me kombëtaren në triumfin e Botërorit 2018 dhe tani së fundi fitues edhe i Ligës së Kombeve me kombëtaren e tij, duke qenë madje një nga më të dalluarit përgjatë këtij turneu.

Mbappe pak ditë më parë u bë lojtari më i ri në historinë e Kombëtares së Francës që regjistron 50 paraqitje me ‘trekolorët’, duke regjistruar tani 19 gola e 14 asistime në 51 paraqitje në total me ‘gjelat’.

Më poshtë gjeni karrierën e pasur të Mbappes deri tani, që është padyshim jashtëzakonisht e madhe karshi moshës kaq të re që e ka.

/Lajmi.net