Haradinaj për gjendjen në veri: Përkrahje për institucionet që po mbrojnë ligjin, Serbia të ndalojë provokimet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reagur ndaj provokimeve që po ndodhin nga serbët në veri të Kosovës.

Lajme

25/09/2021 17:33

Haradinaj ka thënë se pavarësisht si janë zhvilluar gjërat dhe si është marrë vendimi për targat, ajo qe po ndodhë në veri të vendit është e pa pranueshme.
“E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit.  Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje kreu i AAK-së ka bërë thirrje që Brukseli të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara.

Kujtojmë se ditën e djeshme tre helikopterë të ushtrisë serbe kanë fluturuar mbi sipërfaqen e Republikës së Kosovës për disa sekonda, ndërkohë që edhe sot është raportuar se aeroplanë ushtarak janë parë duke fluturuar po ashtu./Lajmi.net/