Donika Kadaj-Bujupi, nga politika në sport
Donika Kadaj-Bujupi, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, ka kaluar në krejt diçka tjetër.
Lajme
Ajo nuk po merret më me politikë, por iu ka përveshur sportit, dhe atë, ngjitjes në majat e maleve.
E ftuar në “Ora shtatë”, Donika Kadaj-Bujupi, foli për eksperiencën e saj të re, si dashamirëse e natyrës.
“Ajo çka është e rëndësishme është shëndeti, mirëqenia dhe shëndeti mendor, të cilat i gjen më së miri lart”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Ajo ka treguar se si ka filluar gjithçka, si sportiste.
“Ia kam nis herët dimrit, ka qenë ftohtë, jam mbathë edhe kam dalë me ecë, dita-ditës e kam pa rilindjen e gjelbërimit, bukuritë që i sjell pranvera. Çdo mëngjes jam qu herët edhe i kam ba 25 km në ditë, ku përveç që e kom shiju shumë, kom pasë edhe shumë përfitime”, është shprehur Kadaj-Bujupi.
Bujupi ka thënë se e ka parë më se të nevojshme një ndryshim në jetën e saj, pasi jeta që po e jetonte po e kufizonte dhe po i krijonte stres, njofton Klankosova.tv
“Kalon në njifarë rutine e sheh veten veç në telefon, vjen ni moment, e sheh se stresi t’ka blloku komplet”, ka vazhduar Kadaj-Bujupi.
Andaj, sipas saj, kjo është arsyeja pse e ka lënë politikën, për t’iu përkushtuar një profesioni tjetër.
“Tu i njoftë malet e njoh vetveten ma shumë”, është shprehur Kadaj-Bujupi.
Ajo ka treguar që prej që ka filluar të merret me këtë sport ka humbur plot 17 kilogram.
Ajo është edhe organizatore e “Kosova Hiking Club”, të cilën thotë se e ka hapur pasi ka pasur shumë kërkesa për të ju bashkuar në ecje.
“Kohë pas kohe ki nevojë me u shoqëru me njerëz kam dashtë me nda përvojën edhe me tjerë. Por ka pasur interesim të madh, kur dilja për vete me thirrshin e me thoshin kur po del thirrem edhe kështu ia fillum tu u shtu, secilën ditë e ma shumë”, ka shtuar Kadaj-Bujupi.
“Javën e kaluar ishim në Jazhincë, në malet e Sharrit, kemi bo not aty, ndjesi e jashtëzakonshme në një ambient të tillë, uji i ftofte i pastër”, është shprehur Donika Kadaj-Bujupi.
Ajo ka treguar se destinacioni i radhës do të jenë bjeshkët e Istogut.
Ndërkaq e pyetur se a do t’i kthehej politikës, Kadaj-Bujupi është shprehur se nuk do t’i kthehet më kësaj fushe, por në ekran do të kemi mundësi ta shohim vetëm si opinioniste.
Për fund ajo ka apeluar qytetarët që të vaksinohen pasi sipas saj duhet t’i besohet shkencës.
“Me ni aktivizim të përbashkët mundemi me dalë sa ma shpejt prej kësaj faze. Më mirë eshtë me i besu shkencës edhe me u vaksinu masivisht”, është shprehur Kadaj-Bujupi.