Kosova kthen në kufi dhjetëra shqiptarë të pavaksinuar dhe pa test

Nga sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID të marra nga Qeveria e Kosovës.

Lajme

30/08/2021 10:43

Disa qytetarë nga Shqipëria kanë tentuar të bllokojnë pikën hyrëse në Morinë.

Sipas “News 24” qytetarët po kthehen në doganë nga pala kosovare, e cila u kërkon pasaportë vaksine ose test Covid-i për të kaluar kufirin.

Ndërkaq, qytetarët mund të kalojnë pa problem nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, ku nuk kërkohet pasaportë vaksine apo test Covid. Mësohet se policia ka ndërhyrë dhe situata në Morinë për momentin është normalizuar.

MASAT E REJA

Nga sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID të marra nga Qeveria e Kosovës që do të vijojnë deri më 13 shtator. Vendimi për masat e reja është marrë të shtunën në mbledhjen e 32-të të Qeverisë së Kosovës.

Një prej masave të marra është shtyrja e fillimit të vitit shkollor deri më 13 shtator, më pas kufizimi i orarit të restoranteve deri në ora 21:30 dhe vetëm në ambiente të hapura. Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 5 të mëngjesit.