Policia e Kosovës lidhë kontratë emergjente për sigurimin e automjeteve me kompaninë që është pranë falimentimit
Keqmenaxhimi në realizmin e procedurave të prokurimit e ka vënë para kolapsit policinë e Kosovës lidhur më sigurimin e rreth 500 automjeteve.
Lajme
Gati të gjitha kontratat e fundit për sigurimin e automjeteve, policia e Kosovës i ka realizuar me procedurë të negocimit, hap ky që eliminon konkurrencën, shkruan lajmi.net.
Prokurimi i policisë ka lidhur kontratë të enjten urgjentisht me procedurë të negociuar për sigurimin e veturave me kompaninë “Kosova e Re”. Kjo ngase procedurat e prokurimit që ishte tentuar te realizohej me ofertë të hapur ndodhet në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pikërisht se ishte rekomanduar për kontratë kompania “Kosova e Re” për shkak se e njëjta ndodhet nën administrmin të përkohshëm të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur më operimin e saj jashtë parametrave ligjor për kapital dhe solvencë.
Për realizimin e kontratës një vjeçare, kjo kompani është shpallur fituese dje për tenderin “Shërbimet e sigurimeve emergjente TPL dhe TPL. Prokurimi i policisë ka dërguar ofertën e mbyllur tek tri kompani:1,”Kosova e Re”, që ka pasur çmim pak më të lirë se dy tjerat, ose fiks 124, 079.51 euro, 2. “Dukagjini”, 124, 165.57 euro dhe “Kompania e Sigurimeve Eurosig” me çmim 124, 244.94 euro. Policia do të sigurojë për sigurim TPL dhe TPL PLUS rreth 500 automjete, të llojeve të ndryshme.

Kompania e sigurimit “Kosova e Re”, në bazë të deklarimeve të BQK-së për lajmi.net rrezikon të shkojë në procedurë të falimentimit. Kompania ka mungesë të kapitalit në shumë prej 6 milionë euro dhe mungesë për solvencë 4.50 milionë euro. Në bazë të ligjit për sigurimet, kompanitë duhet të mbajnë nivele të caktuara të kapitalit si rezervë, për t’ju përgjigjur detyrimeve në të ardhmen. Aktualisht “Kosova e Re” është nën administrim të BQK-së, por edhe pse ka kaluar faza e administrimit më 30 qershor ende nuk ka një vendim zyrtar për të. Administrimi është faza e fundit para se një kompani të shkojë në falimentim.
Më 1 Maj, prokurimi i policisë hapi ofertë hapur për sigurimin e automjeteve, ndërsa me datë 12 Maj ka bërë njoftim për fituesin, ku u përzgjodh kompania “Kosova e Re”.
Prokurimi i Policisë së Kosovës këtë tender e ka ndarë në dy lote, dhe “Kosova e Re” ka fituar pjesën e parë me çmim prej 310449, 80 euro. Kompania “Eurosig”, ka pasur çmim 310635, 18 euro, Kompania “Prisig”, 1303393, 51 euro, kompania “Dukagjin”, ka çmim prej 310773, 43 euro.
Kompania e Sigurimeve “Eurosig” është ankuar në zyrën e prokurimit të policisë më t’u shpallur fituesi, ku ka shfaqur disa pretendime. Në mesin e tyre ka qenë edhe një pikë ankimore se kompania fituese nuk mund të shpërblehet me kontratë ngase është nën administrim dhe kjo bije ndesh me një nen të LPP-së.
Por, të gjitha pikat ankimore i janë hedhur poshtë dhe është lënë në fuqi, ‘njoftimi për dhënie të kontratës’. Për këtë pikë, policia është arsyetuar se. “Sa i përket pretendimeve se është shkelur neni 65, ju informojmë së për këtë kompani nuk ka ndonjë vendim gjyqësor kompetent që kompania në fjalë ka falimentuar. Po qe se kompania në fjalë ka falimentuar atëherë do t’i revokohej licenca nga ana e Bankës Qendrore”, thuhet në arsyetimin e zyrës së prokurimit të Policisë së Kosovës.
Me datë 27 Maj, prokurimi e ka pezulluar procedurën, derisa OSHP-ja të marr vendim për këtë lëndë.
Sipas raportit që e ka parë lajmi.net, ky institucion në qershor ka autorizuar eksperten e vetë, Blerina Huruglica. Pasi ka shoshitur pretendimet e kompanisë ankuese, ekspertja ka rekomanduar që vendimi i prokurimit të policisë të anulohet dhe lënda të kthehet në rivlerësim.
Ekspertja ka konfirmuar pretendimin e kompanisë ankuese se “Kosova e Re” është nën mbikëqyrje nga Banka Qendrore e Kosovës e cila është nën Administrim te përkohshëm për mospërmbushje te detyrimeve ndaj BQK-se, dhe se kjo bije ndesh me një nen të LPP-së.
“Ekspertja shqyrtuese sa i përket pretendimit të dytë sqaron se, në ofertën e të rekomanduarit për kontratë gjendet Vërtetimi nga Gjykata Themelore, departamenti për çështje ekonomike e lëshuar më 10.02.2021 e cila vërteton se kjo kompani nuk është shpallur e falimentuar. Mirëpo pas analizimit të pretendimit dhe pas disa hulumtimeve në internet, vërejmë se ka informacione të pa vërtetuara të cilat shkruajnë lidhur me gjendjen e kësaj kompanie që dyshohet që është para falimentimit. Andaj, konsiderojmë se ky aktivitet i prokurimit duhet të kthehet në rivlerësim, ku AK konfom dispozitave ligjore të LPP-së nenit 65 paragrafit 4, duhet të sigurohet duke kërkuar informacione/konfirmim nga BQK dhe organet tjra lidhur me kompaninë në fjalë si dhe për operatorët tjetër në këtë aktivitet të prokurimit nëse e shesh të nevojshme”, ka shkruar ekspertja.
Kur, në raport të OSHP-së shkruar se ‘pas hulumtimeve në internet, lidhur me gjendjen e kompanisë që dyshohet se është para falimentimit”. Në këtë rast ekspertja e OSHP-së i është referuar një raportimi të publikuar në lajmi.net, por që ishte cituar nga media tjera lidhur më tekstin “BQK-ja nuk ia tërheqë licencën “me të parën” kompanisë “Kosova e Re, i jepe dhe dy muaj afat”.

Kompania e sigurimit “Kosova e Re”, në bazë të raporteve zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), rrezikon të shkojë në procedurë të falimentimit. Kompania ka mungesë të kapitalit në shumë prej 6 milionë euro dhe mungesë për solvencë 4.50 milionë euro.
Në bazë të ligjit për sigurimet, kompanitë duhet të mbajnë nivele të caktuara të kapitalit si rezervë, për t’ju përgjigjur detyrimeve në të ardhmen.
Por, sipas raportit të monitorimit të BQK-së për vitin 2020, një kopje të të cilit e ka siguruar Buletini Ekonomi, të paktën katër kompani të sigurimit në Kosovë janë duke e ushtruar aktivitetin e tyre jashtë parametrave ligjor, përkatësisht mungesës së kapitalit dhe solvencës.
Aktualisht “Kosova e Re” është nën administrim të BQK-së, por edhe pse ka kaluar faza e administrimit më 30 qershor ende nuk ka një vendim zyrtar për të. Administrimi është faza e fundit para se një kompani të shkojë në falimentim.
Bordi ekzekutiv i BQK-së e kishte marrë këtë vendim si rezultat i mospërmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike nga ana e kompanisë.
Derisa “Kosova e Re” aktualisht është nën mbikëqyrje nga BQK-së e cila është nën Administrim te përkohshëm për mospërmbushje te detyrimeve, dhe në këtë pikë prokurimi i policisë ka bërë shkelje kur ka rekomanduar për kontratë këtë kompani.
Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik tek kapitulli “Pranushmeria e Kandidatëve ose Tenderuesve”, flet se kur një kompani nuk ka të drejtë të garojë për një kontratë në institucionet publike.
“4. Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik: 4.1. gjatë dy viteve të kaluara është shpallur nga një gjykatë kompetente si i falimentuar ose insolvent, ose aktualisht është në procedurë: (i) të falimentimit, (ii) të pranimit të urdhrit për likuidim ose përmbyllje të aktiviteteve ose administrimit nga gjykata ose (iii) ndonjë procedurë tjetër të ngjashme sipas ligjit të Kosovës ose ndonjë juridiksioni tjetër. 4.2. me vendim të një gjykate kompetente është likuiduar ose është vënë në mbikëqyrje të administratorit; 4.3. aktualisht ka një marrëveshje ose aranzhim me kreditorët e tij që siguron kushte të zgjeruara ose të reduktuara të pagimit nëse mbi kushtet e tilla janë pajtuar paraprakisht kreditorët e tillë për shkak se operatori ekonomik më parë ka qenë i paaftë që të përmbushë obligimet e tij në afatin e duhur kohor; 4.4. është në një situatë të ngjashme me ato të përshkruara në nën-paragrafët 4.1, 4.2. të këtij neni”, thuhet shprehimisht në nenin 65 të LPP-së tek pika 4.
Ditë më parë, Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së e ka konfirmuar se siguruesi “Kosova e Re” është nën administrim të përkohshëm.
“Ju informoj se si rezultat i mos përmbushjes së kërkesave ligjore për kapital, solvencë dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike, Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka vendosur siguruesin “Kosova e Re” nën administrim të përkohshëm me qëllim të përmirësimit të gjendjes financiare të siguruesit. Kompania vazhdon të jetë nën administrim dhe Administratori ka njoftuar BQK-në lidhur me procesin e administrimit, si dhe ka kërkuar nga aksionari plotësimin e kërkesave ligjore për kapital, gjë të cilën aksionari ka mundësi t’i plotësojë deri më 30 qershor 2021”, ka thënë Ahmeti për lajmi.net.
Megjithëkëtë Bordi i BQK-së akoma nuk e ka marrë një vendim për këtë sigurues. /Lajmi.net/


