Dy ish zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dënohen me burgim dhe detyrohen t’i kthejnë afro 30 mijë euro
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve XHelil Bekteshi dhe Besim Tahiri për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lajme
I akuzuari XHelil Bekteshi, ish sekretar i ministrisë në kohën e ministrin Lutfi Zharku është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite burgim, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë.
I akuzuari Besim Tahiri, ish menaxher i prokurimit është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite burgim, të cilin dënim i akuzuari do ta mbajë nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë.
Konform nenit 62 par. 1 e 2 pika 2.3 të KPRK-së, të akuzuarve secilit veç e veç, iu shqiptohet dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbim publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, edhe atë pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Obligohen të akuzuarit që t’i kompensojnë dëmin të dëmtuarës Ministrisë së Infrastrukturës, në shumën prej 29,828.03 euro.
“I akuzuari XH.B. dhe B.T. në cilësinë e personave zyrtar kishin tejkaluar autorizimet e tyre dhe me këtë kishin kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim e bërë për media nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes kësaj gjykate.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhelil Bekteshi në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare. Njëjtë thuhet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.
Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.
Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.
Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.
Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.
Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.
I pandehuri Tahiri akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.
Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë./Lajmi.net/