Serbia nuk i kursen fëmijët, i shfrytëzon për qëllime politike
Drejtori i zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq, të enjten nisi vizitën dyditore në shtetin që Beogradi zyrtar e konsideron “pjesë të Serbisë”.
Lajme
Në mesin e vendeve që vizitoi emisari serb ishte dhe fshati Gojbulë i Vushtrris.
Aty politikani serb vizitoi një familje djali i së cilës 13 vjeçari Nikolla Periq sipas rrëfimit të tyre u sulmua më 1 korrik.
Petkoviq, pa pritur një përfundim zyrtar të hetimit të rastit thotë se dihet kush e sulmoi, Periqin të cilit i dha dhurata e zotime se vetë presidenti Aleksandar Vuçiq po kujdeset për rastin e tij madje duke e përmendur edhe në takimin e dialogut të Brukselit, njofton Klan Kosova.
“Kush dëshiron të takojë një hero 13 vjeçar duhet të vijë në Gojbulë, pasi ne erdhëm sot dhe takuam një hero të vogël të vërtetë, Nikolla Periq, i cili u rrah nga “ekstremistët shqiptarë”, vetëm pse është serb, i cili ka një emër serb dhe mbiemrin dhe sepse ai ka mbajtur një kryq ortodoks, i cili u hoq nga gjoksi i tij dhe u shkel me këmbë në kohën e sulmit”, tha ai.
Petkoviq acarueshëm reagoi kur u pyet se a po i keqpërdorin ata fëmijët për përfitime politike.
”Fëmijët po i keqpërdorin ata që po i sulmojnë. E dini janë ata që po sulmojnë këtë fëmijë që i kanë shkaktuar plagë Nikollës së vogël. Janë ata që po keqpërdorin jo vetëm Nikollën por edhe të gjithë fëmijët serbë e gjithë serbët në Kosovë e Metohi dhe pronën e tyre”, shtoi emisari serb.
Gjatë vizitës në Gojbulë, Petkoviq ishte i shoqëruar nga ministri për Kthim e Komunitete në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.