“Zemra e Koloseut” hapet për herë të parë në histori për publikun

Koloseu ka hapur nivelet nëntokësore për publikun! Kjo nuk është vetëm hera e parë në 2000 vjet që zona, e përshkruar si “zemra” e ndërtesës, hapet.

Fun

29/06/2021 12:52

Katet nëntokësore, apo “Hipogeumi”, ishin vendi ku gladiatorët apo kafshët prisnin deri sa të ndesheshin, kjo është hera e parë në historinë e monumentit që publiku do të lejohet ta vizitojë, raporton “CNN”.

Në atë kohë, Hipogeumi ndriçohej me dritën e qirinjve. Ministri italian i Kulturës foli për punën e madhe të restaurimit të korridoreve ku prisnin ata që do të ndesheshin në luftim. Punimet u kryen në bashkëpunim me markën italiane të modës Tod’s ku në ceremoninë përuruese ishte i pranishëm dhe CEO i saj, Diego Della Valle, transmeton lajmi.net.

Alfonsina Russo, drejtuese e Parkut Arkeologjik të Koloseut tha se punimet do t’i lejojnë njerëzit të kuptojnë më mirë se si funksiononte Koloseu.

“Ishte një punë komplekse, rezultatet e së cilës janë ende duke u studiuar. Por gur pas guri “dëshmon gjithçka ndodh poshtë arenës së madhe të Amfiteatrit, nga përurimi i tij në vitin 80 pas Krishtit deri te shfaqja e fundit në vitin 523.

Restaurimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kërkimet arkeologjike, pasi do të na lejojë të rindërtojmë historinë e tij”,- shpjegon drejtuesja e Parkut Arkeologjik, Alfonsina Russo.

Projekti i restaurimit nisi nga CEO i markës së modës, “Tod’s”, Diego Della Valle, dhe nga Departamenti i Trashëgimisë Arkeologjike të Romës, më 2011. Shtëpia e modës ka kontribuar me 25 milionë euro për restaurimin.

Restaurimi u krye në tre faza kryesore, duke filluar me një pastrim të plotë të fasadës së monumentit dhe më pas duke punuar në zonat nëntokësore.

Një pjesë e vogël e Hipogeumit u hap për publikun në vitin 2016. Punimet e mëdha të restaurimit nisën në 2018, megjithëse ato u vonuan nga pandemia.

Më shumë se 15 mijë metra katrorë sipërfaqe, 81 specialistë të angazhuar çdo ditë, në mesin e të cilëve 45 restaurues, gjeologë, fizikanë, topografë, inxhinierë dhe punëtorë, 55 mijë orë dhe 7 mijë ditë pune. Në këtë mënyrë, Hipogeumi i Koloseut, ai labirint korridoresh, harqesh dhe kalimesh ku përgatiteshin shfaqjet e amfiteatrit “Flavio”, tani hapen sërish për publikun, falë restaurimit dhe angazhimit të grupit “Tods”.

Koloseu u ndërtua nga perandori Vespasiano, punimet e të cilit nisën në vitin 72 pas Krishtit dhe përfunduan tetë vite më vonë. I biri, Tito, e përuroi Koloseun me 100 ditë lojërash. Sipas historianit antik Eutropius, gjatë atyre lojërave përuruese u vranë 5,000 kafshë.

Në kohën e lulëzimit, amfiteatri mund të mirëpriste 50 – 70 mijë spektatorë. Pas rënies së Perandorisë Romane, ai u përdor si një burim materialesh për punime të tjera rreth qytetit.

Sot është një ndër atraksionet kulturore më të famshme në botë, të cilin e vizitonin rreth 5 milionë turistë në vit, para pandemisë.

Hipogeumi është një strukturë nëntokësore e Koloseumit, e ndërtuar 10 vjet pasi u ndërtua amfiteatri. Hipogeumi u përdor si një dhomë ku qëndronin kafshët dhe gladiatorët, që do të luftonin deri në vdekje në amfiteatër. Ai përfshinte një sistem galerish dhe dy korridore të mëdha. /Lajmi.net/