Në Bruksel bisedohet për ankimimet dhe sigurinë
Një raund i ri bisedimesh teknike për zgjedhjet është mbajtur të premten në Bruksel. Aty është diskutuar për ankimimet e serbëve dhe situatën e sigurisë në Veri.
Lajme
Në Bruksel është mbajtur edhe një takim në kuadër të bisedimeve teknike për zgjedhjet, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Takim është mbajtur më 18 dhe grupet teknike kanë diskutuar për zgjedhjet lokale, duke vlerësuar rrjedhën e këtij procesit.
“Në sesionet e paradites u zhvilluan takime bilaterale mes Grupeve teknike me OSBE-në, ndërsa pasdite u zhvillua një takim i shkurtë trepalësh. Në këto takime u bë vlerësimi i procesit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, sipas obligimeve të dala nga plani për zbatim, me theks të veçantë në katër komunat veriore. Palët diskutuan po ashtu edhe për procesin e ankimimit pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Përfaqësuesit e Kosovës rikonfirmuan se ky proces është duke u zhvilluar me dinamikën e shtuar dhe në tërësi është i bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës. Fokus të veçantë në këtë takim kishte edhe aspekti i sigurisë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sidomos u ngritën shqetësime për aktet e ripërsëritura të grupeve kriminale në veri të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Komunikata thotë se palët janë pajtuar se është e nevojshme qasje më aktive e palëve për përmirësimin e gjendjes së sigurisë.
“Partitë politike kanë të drejtë të organizojnë tubime elektorale e po ashtu të gjithë qytetarët kanë të drejtë të shprehin qëndrimin e tyre dhe pjesëmarrje në zgjedhje lirshëm, ishte konkludim i përbashkët i takimit”, thuhet në komunikatë.
Delegacioni i Kosovës ishte i përbërë nga Qemajl Marmallakaj nga Zyra e Kryeministrit koordinator i Grupit punues, Shukri Sylejmani, Kryetar i PZAP, Elona Cecelia, si dhe Elona Cecelia e Visar Xani, këshilltarë të Zëvendës Kryeminstres Edita Tahiri.