Klubet franceze dhe gjermane refuzojnë Superligën Evropiane, UEFA përshëndet vendimet e tyre

UEFA ka reaguar për krijimin e Superligës Evropiane.

Sport

19/04/2021 08:37

UEFA, Premierliga, Serie A dhe La Liga kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku kanë dënuar çdo përpjekje për themelimin e Superligës Evropiane, të cilën e shohin si kërcënim për futbollin evropian, transmeton lajmi.net.

Sipas UEFA-së, krijimi i kësaj lige do të sjellë pasoja të ndryshme për klubet dhe për lojtarët. UEFA përmes uebfaqes zyrtare ka dënuar çdo klub dhe ka paralajmëruar për pasoja në të ardhmen.

12 klube kishin konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ligë nga La Liga, Premierliga dhe Serie A. Dallim nga këto klube kishin klubet nga Bundesliga dhe Ligue 1, të cilat kanë refuzuar bashkimin në këtë ligë.

UEFA përmes një komunikate zyrtare ka falënderuar klubet  gjermane dhe franceze për vendimet e tyre dhe ka bërë thirrje që të luftohet ky “kërcënim” për futbollin nga të gjithë.

“Ne falënderojmë ato klube në vendet e tjera, veçanërisht klubet franceze dhe gjermane, të cilat kanë refuzuar të regjistrohen në këtë. Ne u bëjmë thirrje të gjithë dashamirëve të futbollit, mbështetësve dhe politikanëve, të bashkohen me ne në luftën kundër një projekti të tillë nëse do të shpallet. Ky interes i vazhdueshëm personal i disave ka vazhduar për shumë kohë. Mjaft është mjaft”, deklaroi UEFA në uebfaqen zyrtare./Lajmi.net/