Facebook merr vendim – Duke nisur nga e hëna, do t’i themi “lamtumirë” rrjetit social Instagram!
Facebook e ka shitur këtë platformë, ndaj duke nisur nga e hëna, çdo llogari e jona në Instagram do të fshihet automatikisht.
Auto & Tek
Rrjeti social Instagram, i cili u lançua më 6 tetor të vitit 2010, është një ndër aplikacionet më të shkarkuara në mbarë botën, transmeton lajmi.net.
Për vite me radhë, përdoruesit kanë qenë të fiksuar me këtë aplikacion që mundësoi lidhjen e njerëzve nga çdo cep i globit, duke na sjellë më pranë njëri-tjetrit.
Jo vetëm të rinjtë, por edhe mosha më të mëdha kanë hapur llogari personale në Instagram, për të ndarë tek tuk ndonjë foto ose video, si dhe për të mësuar se ç’bën bota.
Mirëpo fatkeqësisht, ju themi se platforma Facebook e cila zotëron këtë aplikacion, ka vendosur t’i japë fund njëherë e mirë epokës së Instagram-it!
Një zëdhënës i Facebook ka bërë të ditur se kompania, e cila po eksploronte një version të ri të Instagram-it të kontrolluar nga prindërit, që do të ishte i ngjashëm me aplikacionin Messenger Kids, ka hequr dorë jo vetëm nga ky projekt, por nga i gjithë rrjeti social.
Facebook e ka shitur këtë platformë, ndaj duke nisur nga e hëna, çdo llogari e jona në Instagram do të fshihet automatikisht.
Fundjava është afati kohor që njerëzit kanë për të ruajtur të gjitha të dhënat e tyre personale në këtë rrjet social, i cili do të fshijë çdo foto dhe video që është publikuar deri më sot.
Pas një dekade të lavdishme, duhet t’i themi fund njëherë e mirë rrjetit social Instagram, i cili na shoqëroi në fëmijërinë apo adoleshencën tonë.
E trishtë apo jo? Fatmirësisht, sot është 1 Prill dhe gjithçka e shkruar në këtë artikull ishte një rreng për ju! Nëse na besuat, shpërndajeni me dikë tjetër këtë “lajm”. /Lajmi.net/