Zyrtari i Komunës së Drenasit deklarohet i pafajshëm për përvetësimin e mbi 13 mijë eurove
Udhëheqësi i personelit në Komunën e Drenasit, Gëzim Shishani, është deklaruar i pafajshëm për përvetësim në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lajme
Shishani po akuzohet se kishte përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 13,454.94 euro.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Dulina Hamiti, i akuzuari Shishani është deklaruar i pafajshëm për të dy veprat penale.
“Nuk e nij veten fajtor për këtë aktakuzë dhe në tërësi në çdo pikë të aktakuzës e hodhi poshtë si të pabazë dhe të pa provuar nga Prokuroria e Shtetit”, tha i akuzuari Shishani.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla, të njëjtin e ka udhëzuar që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave që gjenden në të.
Ai po ashtu e ka njoftuar të akuzuarin Shishani që nëse i njëjti brenda 30 ditësh nuk bënë kërkesën për hudhje të aktakuzës apo nuk paraqet kundërshtimin e provave, do të konsiderohet se i njëjti ka hequr dorë nga kjo kërkesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Gëzim Shishani në cilësinë e Udhëheqësit të Personelit në Komunën e Drenasit, prej muajit nëntor të vitit 2008 në vazhdimësi deri në muajin korrik të vitit 2018, kishe përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktakuzë thuhet se Shishani kishte realizuar pagën me koeficientin e pagës 11.3, në vend që të realizonte pagën me koeficient 9.5, ashtu që vetit i kishte sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumën prej 13,454.94 euro.
Sipas prokurorisë, Shishani nuk e kishte zbatuar vendimin e kryetarit të Komunës së Drenasit, me të cilin vendim Shishanit i ishte ndryshuar koeficienti i pagës nga 11.3 në 9.5.
Për këto veprime Shishani po dyshohet se kishte përfituar 13,454.94 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Drenasit.
Shishani për këto veprime po ngarkohet me veprën penale “përvetësim në detyrë”, nga neni 425 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së, si dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi