Mustafa: S’ka favorit për kryetar të LDK-së

Kryetari në largim i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa është deklaruar pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.

Lajme

25/02/2021 18:25

Ai është pritur para selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga gazetarët për ta pyetur lidhur me zhvillimet në këtë parti, shkruan lajmi.net.

Mustafa është pyetur se a ka dhe kush është favorit për t’u bërë kryetar i LDK-së, por Mustafa e ka mohuar një gjë të tillë.

“S’ka favorit”, tha shkurtimisht ai para gazetarëve.

Ndryshe, sot në zyrat e LDK-së ka qëndruar ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Abbott në Facebook ka publikuar një fotografi me kryetarin e dorëhequr të LDK-së, Isa Mustafa, teksa ka folur edhe për arsyet e vizitës së tij aty.

Ai ka thënë se përveç me Mustafën, është takuar edhe më nënkryetarin Lutfi Haziri, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, si dhe përspektivat e ardhshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Këtë pasdite takova Isa Mustafën dhe Lutfi Hazirin. Diskutuam për rezultatin e zgjedhjeve dhe përspektivat e ardhshme të LDK-së”, ka shkruar Abbott.

Në anën tjetër, data e 14 marsit pritet të jetë data kur do të zgjidhet kryesia e re e LDK-së.

Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rezultatit të dobët që kjo parti e mori nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

LDK-ja ka marrë vetëm 13 për qind të totalit të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë dhe kryesia e kësaj partie janë zotuar se do t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme për ta rikthyer partinë si garuese në zgjedhje. /Lajmi.net/