Imri Ahmeti mohon se po zhvillohet aksion policor në Komunën e Lipjanit, a ka të arrestuar?

Kreu i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka mohuar se në komunën e tij ka të arrestuar nga aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës që po zhvillohet në lokacione të ndryshme të vendit.

Lajme

24/02/2021 11:28

Ameti ka thënë për lajmi.net, se ai gjendet në zyre dhe askush nuk ka qenë aty.

“Unë nuk kam asnjë lloj informacioni as zyrtar as privat, nuk e di çka është duke ndodhur. Në administratë jam në zyre, askush nuk ka ardhur as nuk më ka kontaktuar”, ka thënë Ahmeti.

Edhe pse një nga drejtorët në këtë komunë, e ka konfirmuar aksionin e policisë për media, Ahmeti ka thënë se nuk e di se ku ka pasur aksion të policisë.

“Nuk e di ku ka qenë ai aksion, unë në komunë jam, nuk ka asnjë lloj aksioni”, tha tutje Ahmeti.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Lipjanit Shefqet Amerllahu ka thënë se nuk ka informacione nëse dikush është arrestuar.

“Policia ka pasur një aksion edhe në komunën tonë por, zyrtarët e drejtorisë së Bujqësisë janë në punë, ndërkaq për arrestime në sektorë të tjerë nuk kam informacione”, ka thënë Amerllahu. /Lajmi.net/