Acari ngrin turbinat e erës, mbi 2.7 milionë banorë të Teksasit mbesin pa rrymë

Mbi 2.7 milionë njerëz kanë mbetur pa rrymë në Teksas të Shteteve të Bashkuara pasi acari i stuhisë dimërore Uri ngriu turbinat e erës, me të cilat prodhohet energjia elektrike.

Bota

16/02/2021 16:02

Sipas faqes poweroutage.us, 2.7 milionë amerikanë ende janë pa rrymë në Teksas. 103.000 të tjerë mbetën pa rrymë në Louisiana dhe mbi 51.000 raportuan ndërprerje në Mississippi.

Në Dallas, zyrtarët u thanë banorëve që të mos e thërrasin numrin urgjent, 911, për të raportuar për ndërprerje të rrymës, sepse kjo linjë telefonike është mbingarkuar nga thirrjet e tilla, shkruan Daily Mail, transmeton Express.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se mbi 150 milionë amerikanë tash për tash janë nën paralajmërim për stuhi dimërore për shkak se moti i ftohtë po vazhdon nga brigjet e Atlantikut në lindje deri në brigjet e Paqësorit në perëndim.

Përpos Teksasit, gjendje emergjente e motit është shpallur edhe në Alabama, Oregon, Oklahoma, Kansas, Kentucky dhe Mississippi. Autoritetet thanë se pritet rekord i temperaturave të ulëta në shumë pjesë të vendit.