I përfolur për ministër të Arsimit nga VV-ja, Armend Muja ka qenë i akuzuar për marrje të ryshfetit
Armend Muja është emri më i përfolur për të ushtruar detyrën e ministrit të Arsimit nëse Lëvizja Vetëvendosje është pjesë e qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Lajme
Përveç si ish-analist, aderim i ri në Lëvizjen Vetëvendosje, Muja është i njohur edhe për përfshirjen në një skandal të ryshfetit sa ishte pjesë e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Pas aderimit në Lëvizjen Vetëvendosje, emri i Mujës po lakohet gjithashtu edhe si potencial për të qenë ministër i Arsimit dhe Shkencës, por i njëjti ka qenë i akuzuar për vepra penale që lidhen pikërisht me arsimin.
Dy ish-zyrtarë të lartë të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, Ferdije Zhushi Etemi dhe Basri Muja, ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë në mungesë provash në akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje ndërsa i akuzuari tjetër, Armend Muja, i cili ishte liruar meqë vepra penale për të cilën akuzohej është vjetërsuar.
Ndërsa për pikat e aktakuzës në të cilën tre të akuzuarit prokuroria i ngarkonte me veprat penale të shpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe për marrje të ryshfetit në bashkëkryerje, Gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues pasi që ka ardhur deri te parashkrimi absolut. Ky është vendim të cilin e mori trupi gjykues në seancën në të cilën nuk ishin të pranishëm dy të akuzuarit e parë.
Muja akuzohej se kishte kërkuar ryshfet për akreditim nga disa kolegje private në Kosovë. Në aktakuzën ndaj Mujës, Ferdije Zhushit dhe Basri Mujës që është djali i axhës së Armend Mujës thuhet gjithashtu se kanë pranuar ryshfetin për akreditime.
“Të pandehurit Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Armend Muja, si persona zyrtar kanë kërkuar për vete përfitim për të kryer në kuadër të autorizimeve të tyre një veprim zyrtar të cilën ata është dashur ta kryejnë, kështu që në fillim të vitit 2010 i dëmtuari Alejtin Berisha sipas kërkesës së të pandehurit Armend, e ka takuar atë në kafiterin “Inbox”, në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, me ç’rast Armendi i ka kërkuar 20.000,00 euro për të pandehurit Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe një person tani për tani N.N., për akreditimin e programeve për Kolegjin “Universum”, kurse në fund të muajit shkurt të vitit 2010 në një kafiteri në lagjen “Pejton” në Prishtinë, i pandehuri Armend për akreditimin e programeve për Kolegjin “Universum” ka kërkuar nga i dëmtuari Suat Berisha përfitim në të holla prej 20.000,00 euro për Basriun dhe Ferdijen, ndërsa pas një jave në takimin në kafiterin “Inbox”, Armendi nga Suati ka kërkuar përfitim prej 15.000,00 euro për Basriun, Ferdijen dhe veten”, thuhej ndër të tjera në aktakuzën ndaj Mujës.
Por, pavarësisht kësaj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka organizuar pritje të veçantë për Mujën në seli të partisë së tij, me rastin e anëtarësimit të analistit politik në këtë parti.
Me Mujën, të cilin Kurti tha se e njeh moti, u shpreh se mezi pret që të punojnë së bashku në LVV.
“Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!. Me disa anëtarë të Kryesisë dhe ish deputetë, i uruam mirëseardhje Armend Mujës, e më pas zhvilluam një diskutim rreth zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit dhe qeverisjes sonë të ardhshme. Ai tani është drejtor i Kolegjit Riinvest dhe ligjërues i ekonomisë politike ndërkombëtare. Armendi ka kryer studimet në London School of Economics dhe Corvinus University. Në Master dhe Doktoratë ka punuar në ekonominë politike të Evropës Jug-Lindore. Më herët ka shërbyer si drejtor për çështje akademike në Kolegjin UBT. Gjithashtu ai ka punuar si këshilltar në projektet e Programit për Reforma Ekonomike (ERP), Planin e Zhvillimit Kombëtar dhe Vlerësim të Planit Strategjik Arsimor për GIZ, UNDP dhe Këshillin e Evropës. Armend Muja është me prejardhje nga Mitrovica dhe mezi presim të punojmë bashkë në Lëvizje”, ka shkruar Kurti në prezantimin e aderimit të tij.
Mbetet të shihet nëse zërat për Mujën si ministër të Arsimit do të jenë ose jo të vërteta, por i njëjti është prezantuar në VV si kuadër i ri për t’ i ndihmuar arsimit. /Lajmi.net/