Ambasada e Britanisë e qet në rren Feride Rushitin, thonë se nuk kanë rol në propozimin apo mbështjen e një kandidati në Kosovë

Kuvendi i Kosovës, ka dështuar ta zgjedh Presidentin e Kosovës në katër seancat që VV i ftoi për të votuar për Presidentin. Kandidatet e tyre Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha nuk kanë arritur të bëjnë kuorumin prej 80 deputetëve që nevojitej për të shkuar në votim, në tri seancat e para ndërsa në seancën e…

Lajme

29/04/2026 15:15

Kuvendi i Kosovës, ka dështuar ta zgjedh Presidentin e Kosovës në katër seancat që VV i ftoi për të votuar për Presidentin.

Kandidatet e tyre Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha nuk kanë arritur të bëjnë kuorumin prej 80 deputetëve që nevojitej për të shkuar në votim, në tri seancat e para ndërsa në seancën e katërt Hatixhe Hoxha ishtë tërhequr për t’i lëshuar vendin një kandidate nga LDK.

Por as kjo nuk kreu punë.

Feride Rushiti bashkë me Albin Kurtin kanë folur për media nga foltorja e Presidencës së Kosovës, ku Rashiti tha se kishte marrë përkrahje nga partnerët ndërkombëtarë për të kandiduar për Presidente.

Pyetur nga gazetarët se “kush janë këta partnerë ndërkombëtarë?” që e çuan para të kandidohet për presidente, ajo tha britanikët “që më mbështesin qe disa vite.”

“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë “jo.” Sepse kam mendu që ka me pas zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam “grua e guximshme” prej Departamentit të Shtetit amerikan,” tha ajo.

Por, mbështetjen për të e ka mohuar ambasada britanike.

Ata kanë thënë për lajmi.net se Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të veçantë në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Vërejmë se partitë kanë tentuar dhe kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës dhe, si rezultat, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja kombëtare. Ashtu si në zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha palët që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respekt. Është rol ekskluziv i partive politike që të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatët e mundshëm për zgjedhje. Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të veçantë në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë”, kanë thënë nga ambasada e Britanisë së Madhe për lajmi.net.

Pas dështimit për të zgjedhur Presidentin, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi do të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme. /Lajmi.net/