Vjosa Osmani e shndërron presidencën në “seli të partisë”, e shfrytëzon për takime politike
U.D e presidentit, Vjosa Osmani, ka marrë shumë kritika kohëve të fundit për mënyrën e sjelljes dhe veprimet e saja karshi postit që ajo mbanë. Zyra e Presidentit, si institucioni më i lartë i vendit, është shfrytëzuar nga Osmani ditëve të fundit për qëllime personale politike.
Lajme
Mysafirë të shumtë pati Vjosa Osmani ditëve të fundit në zyrën e presidentit. Në jo të pakta raste, ata që vizituan Osmanin qëlluan të jenë bashkëpunëtorë të saj politik, të cilët shfrytëzuan objektin e presidencës për takime që s’kanë të bëjnë asgjë me çështje shtetërore, shkruan lajmi.net.
E njëjtë ndodhi edhe dje. Në një fotografi të publikuar nga këshilltari i Osmanit, Faton Peci, shihet se para zyrtarizimit të marrëveshjes, në presidencë kishte shkuar edhe Albin Kurti, ani pse ky i fundit nuk e mbanë asnjë post publik.
Pak kohë më pas, Osmani e Kurti zyrtarizuan marrëveshjen politike për kandidim të përbashkët në zgjedhjet e 14 shkurtit.
E kjo nuk është hera e parë që Vjosa Osmani shfrytëzon presidencën për çështje të partisë apo listës së saj.
Para disa ditësh, në zyrën e saj ajo kishte pritur pesë asamblistë të LDK-së nga Ferizaj, të cilët iu bashkuan asaj në parti.
Në lidhje me këtë çështje kanë reaguar edhe nga shoqëria civile. Analisti Fitim Salihu ka akuzuar Osmanin se ka shkelur protokollin dhe keqpërdorur presidencën në momentin që ka negociuar një marrëveshje politike në presidencë.
“Vjosa e ka vënë Presidencën në shërbim të fushatës zgjedhore. Sot negociatat me Kurtin i bëri në Presidencë, kurse protokolli i Presidencës është parë duke e organizuar nënshkrimin e marrëveshjes. Çfarë keqpërdorimi i gërditshëm!”, ka shkruar Salihu në Facebook.
Vjosa Osmani, e cila ka shpallur kandidaturën e saj për presidente të vendit, po ashtu para disa ditësh kishte punësuar tre persona në zyrën e saj, të cilët më pas i kishte marrë në parti.
Edhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, institucioni i presidentit përfaqëson unitetin e popullit, dhe jo një parti të caktuar politike.
Insitucioni i presidentit sipas Kushtetutës është garantues i funksionimit demokratik të Institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë”, theksohet në Kushtetutë. /Lajmi.net/
Lexo edhe: