​Lajçak: Për vazhdimin e dialogut duhet të presim një qeveri të re në Kosovë

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se nuk do të organizojë ndonjë raund të ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, pa përfunduar procesi zgjedhor në Kosovë.

Lajme

12/01/2021 19:32

“Nuk është momenti për të organizuar një takim të ri. Ne kemi nevojë për një qeveri të re me një mandat të fortë që do të vazhdojë procesin e dialogut”, tha Lajçak.

Ai mori pjesë në një diskutim përmes videos me ambasadoren gjermane në Uashington, Emily Haber, për të diskutuar bashkëpunimin e SHBA-së dhe Evropës me Ballkanin Perëndimor.

Duke komentuar ndryshimet në administratën amerikane që do të ndodhin pas inaugurimit të demokratit, Joe Biden, si president i Shteteve të Bashkuara, më 20 janar, Lajçak tha se ishte i inkurajuar nga emërimet e reja në administratën e ardhshme, të cilat, siç tha ai, “nuk kanë nevojë për mësime rreth rajonit” sepse ata janë njerëz që kanë njohuri me proceset në Ballkanin Perëndimor.

“Jam optimist sepse administrata e re po emëron njerëz që e njohin Ballkanin Perëndimor, që ndjejnë përgjegjësi për rajonin. Ata që tashmë janë emëruar, nuk kanë nevojë që të marrin ligjërata për rajonin. Është administratë e re, por që po emëron njerëz të dëshmuar si partner të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, tha Lajçak.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun, pranoi se nuk kishte pasur asnjë koordinim midis Brukselit dhe Uashingtonit në vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar, kishte padyshim dy pista: evropiane dhe amerikane. Nuk ishte zgjedhja jonë të shkonim veç e veç. Partnerët tanë në rajon ishin të hutuar sepse nuk donin të ishin në një pozitë nga e cila duhej të zgjidhnin anë”, tha Lajçak.

Ai vuri në dukje se procesi i dialogut do të shënojë së shpejti dhjetë vjetorin e tij dhe se është koha për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për të arritur këtë, ai tha se është e nevojshme që politikanët të jenë në gjendje ta “shesin” atë dokument për publikun, por gjithashtu “do të nevojiten disa ndryshime ligjore dhe kushtetuese në këto vende, si dhe mbajtja e një referendumi të mundshëm”.

Lajçak, tha se askush nuk mund të garantojë që pas një marrëveshjeje të mundshme Kosovë-Serbi, pesë vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, do ta njohin atë. Kjo, sipas tij është një çështje e brendshme e këtyre vendeve megjithëse, siç tha, ka sinjale se ato po përcjellin me vëmendje procesin e dialogut.

“Si ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, kur me pyesnin se kur do ta njohë vendi im Kosovën, unë ju thosha: më jepni një lajm të mirë, në mënyrë që të shkojë në parlament t’ju them ka ardhur koha të konsiderojmë pozicionin tonë. Pra, qartazi lajmi i mirë është marrëveshja me Serbinë”, tha Lajçak.

“Gjithçka që është e pranueshme për Serbinë do të jetë e pranueshme për vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën”, nënvizoi Lajçak, duke konfirmuar se është në kontakt me këto vende.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.

Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-së.

Ka disa muaj që kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.

BE ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump./RTKLive/