U dekorua dje, polici që e kishte dënuar një vajzë pse qeshi, sot akuzohet se e goditi Natyra Kuçin

Fatmir Miftari, polici nga Vushtrria i cili po akuzohet nga Frashër Krasniqi, anëtar i PSD’së, se ka ushtruar dhunë përgjatë momentit të arrestimit të anëtarëve të kësaj partie, dje është dekoruar me medalje policore për lëvdim.

Lajme

12/01/2021 19:20

“Për kontribut të çmuar dhe shërbim meritor gjatë kryerjes së detyrave, duke u bazuar në standardet më të larta të shërbimit dhe profesionalizmit policor”, thuhet në medaljen policore për lëvdim të ndarë për reshterin Miftari.

Por, i njëjti është akuzuar për ushtrim dhune ndaj anëtarëve të PSD’së përgjatë momentit të protestës së mbajtur të martën.

“Ky është Fatmir Miftari. Rreshteri i Policisë së Kosovës që e goditi në kokë Natyra Kuçin edhe pse ishte me duar të lidhura brenda stacionit policor. Pas reagimit tonë verbal, ai më mori në zyren e tij dhe bashkë me 4-5 policë të tjerë më goditën për disa minuta pa ndërprerë”, thuhet në një postim të Krasniqit.

Miftari u bë i njohur për publikun pasi që në korrik të vitit 2019 gjobiti një vajzë në Prishtinë pse qeshte me zë të lartë, nën pretekstin se e prishte rendin publik, përcjell Gazeta Express.

Për shkak të së qeshurës, qytetarja nga Prishtina ishte dënuar me një gjobë prej 100 eurosh, gjë që kishte ngjallur shumë kritika në mesin e publikut.