Ligji për Rimëkëmbjen, ish-ministri i Financave: Do të shërojë plagët që ka shkaktuar pandemia në Kosovë

Ish-ministri i Financave në Kosovë, Haki Shatri deklaroi se ligji për Rimëkëmbjen e Ekonomike është një ligj i vonuar.

Lajme

08/12/2020 09:18

Shatri nënvizoi më tej se ky ligj u votua pas disa kompromiseve politike.

“Mund të them që është bërë një vonesë e paarsyeshme në nxjerrjen e ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ka hyrë në fuqi prej ditës së nënshkrimit nga ana e presidentes, para 3 ditësh. Ka masa të cilat lidhen me ndryshimet e disa ligjeve bazike, të cilat lidhen me fondin kosovar për garanci kreditore, fondin pensional, administratën tatimore dhe ligjin për të ardhurat personale. Me disa kompromise politike, që të sigurohet vota e mjaftueshme për aprovimin e këtij ligji, kanë hyrë edhe disa masa që kanë implikime buxhetore. Kjo lidhet kryesisht me 200 mln euro për bizneset”, u shpreh ai për Euronews Albania.

Ish-ministri i Financave sqaroi më tej se ky ligj nuk do të bëjë ndonjë kthesë në zhvillimin ekonomik, por do të shërojë ato plagë që ka shkaktuar kjo pandemi në muajt e fundit në Kosovë.

“Është pritur me padurim nga subjektet ekonomike nxjerrja e këtij ligji.

Ka ndikim, pra e lehtëson problemin ekonomik të disa kompanive, të disa sektorëve, të cilat janë goditur më shumë nga shkurti i këtij viti dhe këtej. Nuk janë masa mendoj që do të bëjnë ndonjë kthesë në zhvillimin ekonomik, por do të shërojë ato plagë që ka shkaktuar kjo pandemi në muajt e fundit në Kosovë”, tha ai.