Ministria e Infrastrukturës rrezikon shoferët në autostradë, lëshon leje të kundërligjshme për reklama

Duke kujtuar viktimat e trafikut rrugore, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka hapur fushatën për kujdes në trafikun rrugor që do të jetë e hapur një muaj. Mirëpo, me veprimet e veta ose mosveprimet, kjo ministri po vë në rrezik shoferët që çdo ditë janë në komunikacion.

Lajme

12/11/2020 20:00

Si në asnjë vend tjetër në rajon, Ministria e Infrastrukturës ka lëshuar leje për vendosjen e reklamave në autostrada, shkruan lajmi.net

Reklamat janë vendosur kryesisht mbi ura. Vendosja e tyre në autostrada është e ndaluar edhe me specifika teknike, pasi krijon huti tek ngasësit e automjetet.

Lajmi.net ka mësuar se Ministria e Infrastrukturës ka lëshuar disa leje për vendosje të reklamave, pa e pas para vetës asnjë mbështetje ligjore.

“Jo nuk ka një ligj, apo udhëzim administrativ që e rregullon këtë punë. Por, dimë që ministria ka lëshuar disa pëlqime për vendosjen e reklamave të disa bizneseve. Me sa dimë operatoret nuk kanë bërë ndonjë pagese në arkën e ministrisë, veç nëse  kanë bërë në xhepin e ndonjë zyrtari”, kanë bërë të ditur burimet brenda ministrisë për lajmi.net.

Lajmi.net ka kuptuar se lejet pa bazë ligjore janë lëshuar nga ish-drejtori i departamentit të menaxhimit të rrugëve, Avdyl Imeri, i cili tash është udhëheqës i një divizioni, ndërsa drejtor për menaxhimin e rrugëve është Mal Lokaj.

Në interesimin e redaksisë se mbi bazën e cilit ligj janë lëshuar lejet për reklama dhe se sa ka kushtuar një leje, Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë përgjigje.

Lajmi.net ka vizituar një pjesë të Autostradës “Ibrahim Rugova” dhe hyrjen e Autostradës “Arbën Xhaferi”. Më së shumti reklama shihen të kompanisë “Relax”.

Lajmi.net ka kontaktuar me kompaninë “Relax” për të pyetur nëse kanë leje nga MI-ja dhe se sa kanë paguar për të, por zyrtarët e këtij biznesi thanë se për këtë e kanë të kontraktuar një kompani.

“E di që kemi reklama, por ne e kemi kontraktuar një kompani që ka folur me ministrinë. Ne e kemi bërë vetëm dizajnin. Nuk e di se cila është kompania e kontraktuar, mund të pyes”, tha menaxheri i marketingut të kompanisë “Relax”.

Ish-zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës që merrej me çështjet e sigurisë në trafik, Nol Dedaj tha se vendosja e reklamave të bizneseve është e kundërligjshme.

“Ministria e ka një Udhëzim Administrativ mbi vendosjen e panove. Atë rregullore e kam lenë unë në vitin 2007, kur kam qenë në ministri. Por, sipas atij udhëzimi nuk kanë të drejtë të jenë të vendosura reklamat e bizneseve, vetëm reklamat për siguri rrugore. P.sh, mos vozisni shpejtë, jeta është më e shtrenjtë se sa shpejtësia , e këso fjalish që janë të parapara për siguri rrugore”, tha shkurtë eksperti i komunikacionit rrugor, Nol Dedaj.

Pos, reklamave të kompanive që janë vendosur mbi ura, në disa vende janë të vendosura edhe reklamat e ministrisë, ku apelohet për kujdes gjatë vozitjes.

Ndonëse, MI-ja ka filluar një fushatë për vetëdijesimi në trafikun rrugor, kujtojmë që kjo ministri që nga viti 2017 po orvatet të realizojë tenderin për sinjalizimin horizontal dhe vertikal në rrugët rajonale dhe nacionale të Kosovës.

Janë rreth 700 kilometra rrugë nacionale që ministria nuk po i mirëmban që tre vite, derisa tenderi për këtë punë nuk po arrin të realizohet. /M.B-Lajmi.net/