Telekomi, letër publike drejtuar organeve shtetërore dhe institucioneve të Kosovës

Punonjësit, Menaxhmenti dhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, përmes kësaj letre publike, iu drejtohet organeve të larta shtetërore dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, lidhur me pasqyrimin e gjendjes tejet kritike dhe emergjente të krijuar pas bllokimit dhe tërheqjes së mjeteve nga llogaritë bankare.

Lajme

06/11/2020 09:34

Letra shkruan se “Dëshirojmë që të informojmë me saktësi të gjithë akterët dhe drejtuesit shtetërorë mbi situatën reale që po zhvillohet në Telekomin e Kosovës, përkitazi me momentin e ndjeshëm të kërcënimit dhe rrezikimit potencial të vijimësisë së ofrimit të pandërprerë të shërbimeve të komunikimeve elektronike për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës si dhe subjektet e tjera që përdorin shërbimet telekomunikuese, situatë e cila është krijuar pas bllokimit të llogarive bankare”

Sipas menaxhementit të Telekomit, vazhdimi i kësaj gjendje të rënduar në Telekomin duke i shtuar edhe situatën e pandemisë së Covid-19, në çdo moment mund të shkaktojë rrethanën e padëshiruar të një dëmi të pariparueshëm për organet dhe institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë institucionet e sigurisë së lartë nacionale, të atyre emergjente, shëndetësore si dhe të një varg institucione dhe subjekte tjera, ngase kjo situatë mund të rezultojë me ndërprerjen e funksioneve të Telekomit të Kosovës për shkak të pamundësisë për të operuar dhe funksionuar në kushtet e tanishme të bllokimit të llogarive bankare. 

Andaj, Telekomi ka ftuar institucionet përgjegjëse shtetërore, që sa më parë, të punojnë në ofrimin e zgjidhjes së kësaj situate të ndjeshme dhe në përkrahje dhe shpëtimin e ndërmarrjes shtetërore me interes vital, strategjik, ekonomik e social. /Lajmi.net/