Elshani: Në Podujevë duhet t’ua mundësojmë që të votojnë të gjithë personat e prekur me Covid-19
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me mënyrën e votimit nga qytetarët e prekur me Covid-19, në zgjedhjet për Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës Veriore.

Lajme
Kjo çështje është diskuar edhe në mbledhjen e KQZ-së, të mbajtur të enjten.
Anëtarët e KQZ-së, kërkuan që se cilit qytetar me të drejtë vote t’i krijohen kushtet për të votuar.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, e parashtroi si nevojë këtë çështje, duke thënë se KQZ-ja duhet t’i japë përgjigje kësaj çështjeje.
“Si përfaqësues i PDK-së dua ta parashtroj si çështje. Ne si KQZ duhet t’i japim përgjigje gjithë qytetarëve, meqenëse jemi në fillim të zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë veriore”, tha ai.“Duke marrë parasysh se kemi numrin e madh të të infektuarve me COVID-19, duhet të ndryshojmë datën e regjistrimit të personave të ngujuar në shtëpi, pasi që data 6 nëntor si datë e fundit e përcaktuar për regjistrimin e personave të ngujuar në shtëpi dhe për të ngujuarit me COVID-19. Andaj propozoj që të gjithë të infektuarit deri më 26 nëntor si datë afër zgjedhjeve, t’iu mundësohet votimi përmes ekipeve mobile, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së”, tha Elshani.