“Motër? A të vjen dikush te ti?” – Kronologjia e muajve të fundit nga jeta e Arlinda Zekajt

Një kronologji e përmbledhur e muajve të fundit të jetës së Arlinda Zekajt është publikuar nga aktivistja për të drejtat e grave, Natyra Kuçi, e cila të ndjerën e kishte edhe shoqe. Kjo kronologji, sipas Kuçit, është përmbledhur duke iu referuar rrëfimeve të familjarëve të Arlinda Zekajt, si dhe, siç shprehet ajo, “fakteve” që kanë.…

Lajme

28/10/2026 22:33

Një kronologji e përmbledhur e muajve të fundit të jetës së Arlinda Zekajt është publikuar nga aktivistja për të drejtat e grave, Natyra Kuçi, e cila të ndjerën e kishte edhe shoqe.

Kjo kronologji, sipas Kuçit, është përmbledhur duke iu referuar rrëfimeve të familjarëve të Arlinda Zekajt, si dhe, siç shprehet ajo, “fakteve” që kanë.

Më poshtë, e publikojmë këtë kronologji ashtu siç e përcjell znj. Kuçi, duke sjellë disa pjesë nga kjo kronikë e vrasjes së paralajmëruar.

Si nisi gjithçka?

Ajo fillon duke rrëfyer se si Arlinda Zekaj ia jepte djalin babait të tij çdo fundjavë, edhe pse ishin të ndarë prej gati një viti.

Kronologjia përshkruan në detaje edhe netët kur Arlinda Zekaj kaloi nën të njëjtën çati me vrasësin e saj, i cili madje një herë e kishte pritur me çekan dhe një mjet tjetër të fortë në dorë.

Më poshtë, kronologjia e plotë:

“Arlinda ishte e ndarë nga bashkëshorti prej gati një viti. Çdo fundjavë ia jepte djalin babait të tij.

23 QERSHOR

Me përfundimin e shkollës, djali merret nga familja e bashkëshortit në shkollë dhe nuk i kthehet më Arlindës. Jetoni, bashkëshorti, shkon në Amerikë, ndërsa djalin e mban kunati. Arlindës ia bllokojnë çdo mundësi komunikimi me të birin.

PËR MUAJ TË TËRË

Arlinda nuk arrin ta takojë djalin. As t’ia dëgjojë zërin. As ta shohë nga larg. Shkon në polici, bën kërkesa, lutet që ta shohë e të kujdeset për të.

FILLIMI I KORRIKUT

Shkon në Deçan me dy familjarë. E takon vjehrrën, ndërsa kunati e pret me çekan në njërën dorë dhe një mjet tjetër të fortë në dorën tjetër. I terrorizon. Nuk e sheh djalin.

VITOMIRICË

Shkon te dera e shtëpisë në Vitomiricë, me shpresën që atje ta gjejë djalin. E sheh Anikun të mbyllur brenda, vetëm me një vajzë të mitur, por kthehet, sepse Jetoni, përmes kamerave, e kërcënon Arlindën dhe e shtyn djalin ta thërrasë policinë kundër nënës së vet. Arlinda nuk dëshiron ta shqetësojë Anikun.

NË POLICI

Kthehet e mbytur në polici, e detyruar të deklarojë pse ka shkuar te shtëpia e saj dhe pse ka kërkuar ta shohë djalin e saj. Është e tronditur, sepse e kupton që djali i saj është në mëshirë të fatit. Pa kujdes, i kontrolluar dhe i tmerruar nga një baba që ia kishte futur frikën në palcë! Pret. Pret. Ndrydhet. Shkruan.

TETOR

Me gëzim e pret ditën e seancës gjyqësore, duke shpresuar se më në fund do ta marrë djalin.

E dhimbshme, deri në asht.

E MARTË, 20 TETOR

Gjykata ia njeh Arlindës të drejtën për djalin.

Djali intervistohet nga Qendra për Punë Sociale, sipas rrëfimit, nën presionin e policisë dhe babait. Megjithatë, djali shkon me babanë në shtëpinë e Arlindës. Arlinda, pasi qan për disa orë në veturë dhe pëson shok nga veprimet e gjykatës dhe të policisë, shkon te vëllai në Radavc.

E MËRKURË, 21 TETOR

Arlinda shkon në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ku, sipas rrëfimit, konstatohet shkelje nga Policia e Pejës. Udhëzohet që të nesërmen, në orën 09:00, të shkojë ta marrë djalin.

E ENJTE, 22 TETOR

Në mëngjes, shkruan se kthimi në shtëpi shtyhet deri rreth orës 15:30, sepse nuk ka veturë në dispozicion. Sipas shpjegimit, i thuhet se policia ishte në seminar me vetura.

Arlinda shkon në shtëpinë në Vitomiricë me policinë e Pejës, por ish-bashkëshorti e merr djalin dhe largohet diku. Në shtëpi janë vjehrra dhe kunati, i cili e kërcënon dhe tenton ta godasë.

Arlinda kontakton policinë e Vitomiricës rreth orës 16:50. Ata i përgjigjen se nuk kanë veturë dhe i thonë: “Shko në QPS”.

Prapë kthehet në polici. Qëndron mbi gjashtë orë në Policinë e Pejës dhe kthehet në Radavc rreth orës 01:00 pas mesnatës.

Rreth orës 22:00, policia i shoqëron në polici vjehrrën dhe Jetonin për intervistim. Për djalin nuk e dinë se ku është. I lirojnë. Ata kthehen në shtëpinë e Arlindës në Vitomiricë, ndërsa Arlinda shkon te vëllai në Radavc.

E PREMTE, 23 TETOR

Pas punës, Arlinda kthehet në shtëpinë e saj në Vitomiricë.

Nuk e lejojnë ta shohë djalin, të cilin nuk e kishte takuar që nga shkurti, përveçse në gjykatë. E detyrojnë të qëndrojë e vetme në dhomë. E ofendojnë dhe e kërcënojnë.

Në shtëpi janë bashkëshorti, vjehrra dhe kunati, i cili e kishte kanosur një natë më parë.

E SHTUNË, 24 TETOR

Arlinda kthehet përsëri nga puna. Provokohet dhe nuk lejohet t’i afrohet djalit. Megjithatë, gëzohet që më në fund mund të flejë “nën një kulm me djalin”, për të cilin kishte pasur aq shumë mall gjatë këtyre muajve.

E DIEL, 25 TETOR – DITA E VRASJES

Shkon te familja në Radavc. Kthehet pasdite në shtëpi, ku Jetoni ia hedh rrobat në oborr, e kërcënon me jetë dhe ushtron dhunë ndaj saj. Arlinda e raporton rastin dhe qëndron në polici për të dhënë deklaratë.

Rreth orës 20:47, niset nga Policia e Pejës për t’u kthyer në shtëpi, e gëzuar me shpresën se atë natë më në fund do të mund t’i afrohej djalit.

ORA 20:53

Arlinda është ende rrugës nga policia për në shtëpi dhe është në kontakt të vazhdueshëm me motrat. I njofton se ai është arrestuar.

Motrat janë jashtëzakonisht të shqetësuara që Arlinda po kthehet në atë shtëpi. Shpresojnë se policia do ta mbrojë.

ORA 20:55

Arlinda është për herë të fundit online. Motrat vazhdojnë t’i shkruajnë:

“Motër, a shkon?” “Motër?” “A të vjen dikush te ti?” “Hej…”.

Nuk e dinë se Arlinda arrin ta përqafojë Anikun, për të cilin kishte aq shumë mall. Atë natë, Arlinda vritet nga kunati.”