Shoferi që goditi për vdekje një fëmijë në Has është 17-vjeçar

Fëmija 5 vjeçar me inicialet M.G., është goditur për vdekje nga një veturë dje në Lubizhdë të Hasit.

Lajme

11/10/2020 09:15

Shoferi që po voziste veturën, e cila u përfshi në aksidentin me fatalitet është i mitur, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

“Fsh. Lubizhdë, Prizren 10.10.2020 – 12:48. Është arrestuar i dyshuari i mitur mashkull kosovar i cili derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën duke mos e përshtat shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës e kishte goditë femiun – viktimën mashkull kosovar i cili si pasoj kishte pësuar lëndime trupore dhe ishte dërguar në emergjencën e spitalit rajonal në Prizren pa shenja jete, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, kurse i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndërkohë, të shtunën Policia kishte konfirmuar se shoferi ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet në Lubizhdë-Has. Një veturë ka goditur për vdekje një fëmijë pesë vjeç. Me vendim të prokurorit shoferi i veturës është dërguar në mbajtje për 48 orë”, kanë thënë nga Policia në Prizren. /Lajmi.net/