Nis sezoni turistik vjeshtë-dimër, ftohen qytetarët e Shqipërisë që t’i vizitojnë bukuritë e Kosovës
Me moton "Të ecim shtigjeve të Dardanisë", në Ditën Botërore të Turizmit është bërë hapja e sezonit turistik vjeshtë-dimër.
Lajme
Nga Brodi i Dragashit, përfaqësues të turizmit nga Kosova e Shqipëria, kanë bërë thirrje për vazhdim të fushatës “Pusho Shqip”, meqë sipas tyre kështu do të zhvillohet ekonomia dhe do të punësohen qytetarët e vendit.
Zëvendëskryeministrja, Albulena Balaj-Halimaj tha se sot po shënohet dita botërore e turizmit, duke uruar që pavarësisht gjendjes me pandeminë, të jetë një fillim i mbarë. Ajo bëri thirrje që pushimet vjeshtë-dimër të kalohen në Kosovë, ashtu siç kosovarët kontribuon në turizmin e Shqipërisë gjatë sezonit veror.
“E di që situata me pandeminë krijon shumë rreziqe për turizmin në Kosovë dhe Shqipëri. Por uroj që secili qytetarë të kujdesimi për të. Zhvillimi i turizmit sjell të mira ekonomike dhe vendeve të reja të punës. Si qeveri do t’i japim prioritet të veçantë turizmit, sepse pa turizëm nuk ka zhvillim ekonomik”, tha ajo.
E ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi theksoi se është me rëndësi të veçantë që të investohet në fushën e turizmit, meqë siç tha ai, kështu do të zhvillohet edhe ekonomia e vendit.
“Duke parë se turizmi në dy vendeve tona ka potencial të madh me motive natyrore dhe njerëzore. Ne dy ministrat jemi dakorduar që të bëjmë promovimin e turizmit. Jemi duke punuar së bashku që të bëjmë guida për vizitorët vendës dhe ndërkombëtarë. Duke qenë i vetëdijshëm që sektori i turizmit është i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, unë jam përkushtuar të ofrojë mbështetje financiare dhe të rris buxhetin në sektorin e turizmit. Ftoj bizneset si nga vendi ynë dhe jashtë që të investojnë në fushën e turizmit në të dyja vendet”, ka shtuar ai.
Në hapjen e fushatës “Të ecim shtigjeve të Dardanisë”, ministri i Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi theksoi se deti nuk është vetëm i shqiptarëve të Shqipërisë, ashtu siç janë edhe malet e Kosovës. Sipas tij, duhet të investohet dhe promovohet shumë turizmi i të dyjave vendeve në të dy anët e bjeshkëve.
“Pusho shqip ishte moto e përbashkët të operatorëve turistik së bashku me përfaqësues të pushtetit lokal për të ndihmuar komunitetin e biznesit që brenda kërkesave amnistive të trasnformojmë në të dyja anët e bjeshkëve për të bërë ekonomi mbarëkombëtar. Ne kemi folur shpesh se si truizmi në dy vendet duhet të shndërrohet në një industri e cila çdo ditë mund të prodhojë të ardhura dhe mirëqenie. Ne kemi shumë nevojë që të promovojmë një destinacion i cili nuk ka nevojë të ndahet në kufi. Do të doja të falënderoja për punën e jashtëzakonshme të operatorëve kosovarë për të mbajtur turizmin në Shqipëri, edhe në një vit me shumë problematika”, ka theksuar ai.
Ai ka bërë thirrje që të mbështesin gjatë tërë sezonit vjeshtor-dimëror, dhe të dyfishohet investimi, por edhe të vazhdohet fushata për “Pusho shqip” edhe në Kosovë.
Kryetari i komunës së Vlorës, Dritan Leli tha se është radha e shqiptarëve të Shqipërisë të vizitojmë e të bëjnë turizëm mëtanë bjeshkëve.
“Mbledhja e dy qeverive në Shqipëri tregoi edhe një herë që dimë të flasim një gjuhë, dhe të bëjmë punë që shoqëron produkt. Këtë produkt e pres edhe nga ky takim i sotëm “, theksoi ai.
Se turizmi është shumë i rëndësishëm e tha edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka. Sipas tij, pandemia e cila e ka pllakosur vendin dhe jo vetëm, ka vënë në pah shumë mangësi në këtë fushë.
“Krijimi i vendeve të punës nuk është vetëm në hotele, kafiteri e restorante. Por edhe në bujqësi, suveniere dhe tregti. Turizmi afekton më së shumti fusha tjera ekonomike. Si komunë e Prizrenit e kemi shpallur si porritet fushën e turizmit, por ja që pandemia goditi në fushën që më së shumti patëm nevojë. Një nga pikat kyçe është turizmi i sigurt apo certifikimi për masa të sigurisë kundër Covid-19 është mirë që të tejkalojmë hotelierët që të marrim këto certifikime”, ka shtuar Haskuka.
Në hapjen e Ditës Botërore të Turizmit, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se malet e Kosovës janë të Shqipërisë.
“Nëse shohim shifrat 50 përqind e turistëve në Shëngjin, ashtu edhe në Velipojë janë nga Kosova në Shqipëri. 50 për qind është edhe numri i pushuesve edhe nga Shqipëria në Kosovë… ajo qe mendoj që është më rëndësi të shohim kapacitet hoteliere. Ka ardhur koha që të shohim bashkë hartimin për rritjen e kapaciteteve. Nëse në Shqipëri ka kapacitet turistike, sot mungojnë këto në Kosovë që të kënaqim më shumë turistët. Është me rëndësi që këtu në Brod të zhvillohet skijimi. Jemi shumë afër njëri tjetrit por larg asaj që ofron”, tha ai.
Kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani tha se ky vend është unik, meqë pothuajse e gjitha treva është malore. Kështu sipas tij, ofrohen të gjitha kushtet për turizëm. Ai tha se ka nevojë për investime.
Ndër tjera, Departamenti i Turizmit sot ka prezantuar edhe web-portalin e turizmit.