TikTok refuzon ofertën e Microsoftit për blerje të operacioneve të aplikacionit në SHBA

Gjiganti teknologjik, Microsoft ka thënë se i është refuzuar oferta për blerje të aplikacionit kinez, TikTok në negociatat e nxitura nga presidenti amerikan, Donald Trump, pas pretendimeve se kjo platformë përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Auto & Tek

14/09/2020 09:50

Kompania që zotëron aplikacionin TikTok, Bytedance, është cituar t’i ketë thënë Microsoftit se nuk do t’ia shesë kësaj kompanie operacionet e aplikacionit në tokën amerikane.

Në disa raportime të mediave, që kanë folur me burimet e tyre, është thënë se Bytedance ka përzgjedhur kompaninë Oracle në vend të Microsoftit.

Mirëpo TikTok dhe Oracle nuk kanë komentuar këto pretendime.

Muajin e kaluar, Trump ka kërcënuar me ndalim të TikTok-ut në mesin e muajit shtator, duke supozuar se të dhënat që zotëron ky aplikacion mund të shfrytëzohen nga kompani kineze të inteligjencës, andaj ka kërkuar që ByteDance të negociojë për shitje me bizneset amerikane.

TikTok mohon se ka ndarë me qeverinë kineze të dhënat e përdoruesve dhe ka paditur administratën amerikane që ka kërcënuar me ndalim të aplikacionit nëse nuk zbatohet rregulli i shitjes.

TikTok ka thënë se ka 100 milionë përdorues amerikanë dhe 700 milionë në gjithë globin.

Ky aplikacion ofron mundësi të realizimit të videove të shkurtra argëtuese të njerëzve duke vallëzuar, duke imituar të tjerët apo duke sfiduar njëri-tjetrin n gara të ndryshme.