ATK shton kontrollet ndaj bizneseve online, shqipton 24 gjoba dhe evidenton 51 parregullsi

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka intensifikuar kontrollet ndaj bizneseve që zhvillojnë aktivitetin e tyre përmes platformave online dhe shërbimeve postare, me qëllim të identifikimit të shkeljeve tatimore dhe luftimit të ekonomisë joformale. Gjatë rreth 60 vizitave dhe inspektimeve të realizuara në terren, zyrtarët e ATK-së kanë evidentuar gjithsej 51 raste me parregullsi të ndryshme,…

Lajme

24/11/2026 16:20

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka intensifikuar kontrollet ndaj bizneseve që zhvillojnë aktivitetin e tyre përmes platformave online dhe shërbimeve postare, me qëllim të identifikimit të shkeljeve tatimore dhe luftimit të ekonomisë joformale.

Gjatë rreth 60 vizitave dhe inspektimeve të realizuara në terren, zyrtarët e ATK-së kanë evidentuar gjithsej 51 raste me parregullsi të ndryshme, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit të këtij institucioni, shkeljet e identifikuara përfshijnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, punësimin e punëtorëve pa i deklaruar dhe shitjen e produkteve pa lëshuar kuponë fiskalë.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA, ndërsa janë shqiptuar edhe 24 gjoba.

ATK ka bërë të ditur se këto aktivitete janë realizuar në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, në kuadër të përpjekjeve për mbikëqyrjen dhe formalizimin e sektorit të shitjeve online, i cili ka shënuar rritje të vazhdueshme në Kosovë.

Nga ky institucion është rikujtuar se çdo person që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht nëse shet përmes rrjeteve sociale, platformave online apo shërbimeve postare, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i deklarojë punëtorët dhe të ardhurat, si dhe t’i përmbushë detyrimet tatimore.

Administrata Tatimore ka paralajmëruar se kontrollet ndaj këtij sektori do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në bashkëpunim me institucionet kompetente.

Qëllimi, sipas ATK-së, është identifikimi i bizneseve të paregjistruara, luftimi i ekonomisë joformale dhe krijimi i kushteve për konkurrencë të drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë.

Postimi i plotë:
ATK shton kontrollet ndaj bizneseve që shesin online
Nga rreth 60 vizita dhe inspektime të realizuara në terren ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari tregtare përmes platformave online dhe shërbimeve postare, janë evidentuar 51 raste me parregullsi të natyrave të ndryshme tatimore, përfshirë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike nga biznese të paregjistruara, punësimin e punëtorëve të padeklaruar, si dhe shitjen e mallrave pa lëshuar kuponë fiskalë.
Nga këto aktivitete, 36 raste janë rekomanduar për vlerësim dhe trajtim përmes sistemit ZGJONA, ndërsa janë shqiptuar 24 gjoba. Këto aktivitete janë realizuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante, si pjesë e angazhimit për mbikëqyrjen bizneseve që shesin online dhe formalizimin e këtij sektori, i cili vitet e fundit ka shënuar zhvillim dhe përhapje të
madhe në vend.
Përkundër numrit të konsiderueshëm të bizneseve që tashmë janë të regjistruara dhe operojnë në mënyrë të formalizuar, tregu vazhdon të karakterizohet edhe nga subjekte që ushtrojnë veprimtari ekonomike përmes rrjeteve sociale dhe platformave të ndryshme online, pa i përmbushur të gjitha obligimet ligjore
dhe tatimore.
Rikujtojmë se çdo individ që ushtron veprimtari ekonomike, pavarësisht mënyrës se si e zhvillon atë, është i obliguar ta regjistrojë biznesin, t’i formalizojë punëtorët, t’i deklarojë të ardhurat dhe t’i paguajë obligimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
Shitja përmes internetit apo shpërndarja e produkteve përmes shërbimeve postare nuk përbën përjashtim nga këto obligime.
ATK do të vazhdojë të ketë në fokus të veçantë këtë sektor, duke ndërmarrë kontrolle të vazhdueshme në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente, me qëllim të identifikimit të aktiviteteve të paregjistruara, luftimit të ekonomisë joformale dhe garantimit të konkurrencës së drejtë ndërmjet bizneseve.
Formalizimi i veprimtarisë ekonomike dhe përmbushja e obligimeve tatimore janë detyrim ligjor për secilin që ushtron aktivitet ekonomik në Kosovë./lajmi.net/