Cikalleshi i lumtur me fitoren në Bjellorusi, thërret për kujdes ndaj Lituanisë

Lojtari më i mirë në fushën e blertë sonte, Sokol Cikalleshi, ka folur pas triumfit në Bjellorusi.

Sport

04/09/2020 23:41

Sulmuesi shqiptar është shprehur i lumtur me golin, si dhe me tri pikët, por ka bërë thirrje për kujdes ndaj Lituanisë.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell fjalët e Cikalleshit pas ndeshjes ndaj Bjellorusisë, ku Shqipëria fitoi 0:2.

“Pas një rikthimi shumë të gjatë nga situata e Koronës, ka qenë e vështirë kjo ndeshje. Situata jonë fizike nuk ishte në nivelin e duhur. Jam shumë i lumtur që i hapa rrugën fitores ekipit. Ky ishte kundërshtari ynë më i vështirë për vendin e parë. Kemi bërë gjysmën e punës me këtë fitim. E kishim këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Ndeshja e parë i jep moral ekipit, na bën të fokusohemi. Ishte kundërshtari për t’u mundur. Me ekipet e dobëta kemi hasur vështirësi. Uroj që pas 3 ditësh të bëjmë përsëri fitore.

Ccdo prurje e re është në të mirë të Kombëtares. Në momentin kur rritet konkurrenca, të gjithë japin maksimumin. Uroj që të bëjnë hapat e duhura dhe ta ndihmojnë Kombëtaren. Kombëtarja nuk është e askujt. Me Manajn kemi bërë mjaft mirë. Në këtë modul të ri e kemi gjetur njëri tjetrin dhe unë kam arritur të shënoj. Kjo është gjysma puna. Gjysmën tjetër do e kemi mbas 3 ditësh. Historia tregon se kemi pasur vështirësi me ekipe si Andorra. Lituania është diçka më mirë. Të gjithë ata që do të jenë në fushë, do të jenë luanë dhe do të japin më të mirën”, u shpreh Cikalleshi, përcjell lajmi.net.

Cikalleshi u vlerësua me 7.9 për paraqitjen e tij sonte. /Lajmi.net/