Barcelona ka kohë edhe shtatë ditë për të paguar klauzolën e Lautaro

Vetëm shtatë ditë! Kaq ka në dispozicion Barcelona për të bërë goditjen e madhe të kësaj vere, pas sigurimit të Miralem Pjanicit nga Juventusi, duke qenë se më 7 korrik skadon klauzola e Lautaro Martinezit.

Sport

01/07/2020 12:52

Akordi i mundshëm mes sulmuesit argjentinas të Interit dhe katalanasve është 7 ditë larg dhe 111 milionë euro distancë.

Ose ndoshta, edhe 90 milionë, duke qenë se pavarësisht klauzolës, kjo është kuota e fundit nga e cila Interi nuk kërkon që të ulë pretendimin e tij.

Zikaltrit kanë dalë hapur duke nënvizuar se Lautaro nuk ka kërkuar largimin, por nëse është i joshur nga Barcelona, atëherë është i lirë të shkojë, mjafton që të sjellë paratë që duan milanezët.

Dhe ndërkohë, Interi po gërmon në merkato, për të mos u kapur në befasi në rast divorci, edhe pse vetë Lautaro duket i lumtur tek italianët, siç tregon edhe postimi i tij i fundit, i qeshur, përkrah Romelu Lukakut, partnerit të tij në repartin ofensiv.