Setien pyetet për transferimin e Lautaro Martinez, tregon cilat janë gjasat
Trajneri i Barcelonës ka folur lidhur me transferimin e mundshëm të Lautaro Martinez.
Sport
Quique Setien, njeriu në krye të stolit të Barcelonës, ka dhënë mendimin e tij mbi transferimin e mundshëm të Lautaro Martinez.
Lautaro vazhdon të mbetet një nga emrat kryesor në listën e dëshirave të Barcelonës. Rreth lojtarit është pyetur edhe Setien, i cili ka treguar se cilat janë gjasat për transferimin.
“Ne po flasim për transferime, por pandemia do të ndryshojë shumë gjëra. Situata ekonomike e klubeve është e komplikuar”, ka thënë Setien për ‘Onda Cero’, transmeton lajmi.net.
“Nuk jam as pesimist as optimist, rreth Lautaro Martinez. Më pëlqen ai, njësoj si të gjithë lojtarët e mirë, por nuk kam iluzione”, ka shtuar trajneri.
Lautaro, 22 vjeçar, ka shënuar 16 gola në 31 paraqitje me skuadrën e Inter këtë sezon. Ai shihet si pasuesi ideal për Luis Suarez. Klauzola e argjentinasit vlen 111 milionë euro. /Lajmi.net/