Porositen 30 mijë teste të reja, Shqipëria pjesë e studimit klinik të OBSH për kurimin e koronavirusit
Tiranë -Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në lidhje me testimin e Covid-19, deklaroi se strategjia e testimit vendoset nga ekspertet dhe se gjurmimi epidemiologjik kryhet sipas standardeve.

Lajme
“Ne nuk kemi probleme me kapacitetet. Kemi aktualisht dhe kemi porositur edhe 30 mijë teste të tjera. Por strategjinë e testimit e vendosin ekspertët. Ne po zbatojmë rekomandimet e OBSH-së për testim testim testim për çdo rast të dyshuar”, tha Manastirliu.
Ndër të tjera Manastirliu ka deklaruar sot se, Shqipëria është përfshirë në nismën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Public Health Emergency Solidarity Trial”, për t’u bërë pjesë e një studimi klinik ndërkombëtar, për optimizimin e protokolleve për trajtimin e COVID19.
“Për trajtimin e pacietëve me COVID19 po ndiqen protokollet si në vendet e tjera, përdorim po ato linja trajtimi. Shqipëria për herë të parë do të jetë pjesë e një studimi të madh klinik, “solidarity trial”, iniciuar nga OBSH. Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine”, tha ministrja.
Në lidhje me vatrën e Shkodrës, Manastirliu tha se Shkodra është një qytet që ka dy vatra që janë zbuluar nga njësitë dhe strukturat e shëndetësisë. Është bërë një hetim i imtësishëm nga epidemiologet e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, në bashkëpunim me Institutin e Shendetit Publik.
“Kam një apel që dua ta bëj jo vetëm qytetarëve të Shkodrës por edhe të Tiranës e të gjithë Shqipërisë: Të respektojnë masat e marra, të respektojnë distancimin social, është e vetmja armë për të mundur COVID-19″, tha Manastirliu. /tch