Fund-Pusi
Shkruan: Blerim Shala
Opinion
Kemi mbërri ta bëjmë një temë debati të rëndë dhe të mundimshëm në politikën dhe në shoqërinë kosovare raportin tonë, si shtet, me SHBA-në.
Sa keq që në Kosovë (diçka të tillë nuk ka dora në zemër askund, as në shtetet më të zhvilluara demokratike në Botë), nuk kemi ‘Rezerva shtetërore’ politike.
Paramendoni, ta zëmë, që diku, në ndonjë institucion të veçantë të Kosovës, për vite dhe decenie të tëra, janë deponuar dhe mbledhur këto ‘Rezerva’ politike, në trajtë të urtisë, mençurisë dhe pragmatizmit politik.
Njëlloj si në raste të krizave të mëdha ekonomike, të cilat rëndom shkaktohen nga politika, kur tregu furnizohet me ushqimet elementare nga Rezervat strategjike në mall, edhe këtu, ta zëmë, kur në një vend, për shembull në Kosovën e ditëve të sotme, kur vërehet që kriza politike kërcënon tej mase stabilitetin e vendit, do të bëhej shpërndarja, nga këto ‘Rezerva imagjinare’, e qëndrimeve, vlerësimeve dhe vendimeve të mençura politike.
Në këtë mënyrë do të tejkalohej gjendja e keqe, si me një lloj infuzioni magjik mjekësor që shpëton jetën e një pacienti të sëmurë rëndë.
Për fatin tonë të keq, në Kosovë nuk kemi ‘Rezerva shtetërore’ politike të këtij lloji, sepse diçka të tillë nuk ka askund.
Edhe po t’i kishim këto rezerva, në fakt, me siguri që në ndërkohë do t’i bënim ‘rrush dhe kumbulla’, sepse tash e sa vjet, nuk kemi pas, objektivisht, as një të vetmin vit normal apo të zakonshëm politik, i cili pos tjerash, do të shërbente për një investim real në stabilitetin afatgjatë politik të vendit.
Politika kosovare në përgjithësi, në një kontinuitet të pashembullt, vazhdon të harxhojë shpresën, besimin dhe optimizmin e qytetarëve të Kosovës, në vend se ta prodhojë dhe ta fuqizojë atë.
Vlera e saj e përgjithshme, ka pësuar rënie të madhe dhe tani ajo graviton kah zeroja.
Shkaqet për një tatëpjetë të këtillë janë të shumta. Ato nuk kanë gjasa madje të trajtohen si duhet nga kjo politikë dhe nga kjo shoqëri.
Rrëfimi tej mase problematik i ditëve të fundit, është një tjetër konfirmim se me çfarë mbrapshtie po jetojnë qytetarët e Kosovës.
Diçka e tillë ta zëmë ka qenë e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.
Kështu, kemi mbërri pra ta bëjmë një temë debati të rëndë dhe të mundimshëm në politikën dhe në shoqërinë kosovare raportin tonë, si shtet, me SHBA-në.
Nuk është hera e parë që e bëjmë këtë gjë. Një herë, pak vite më parë, këto marrëdhënie u sprovuan kur Administrata e Presidentit Obama, duke përfshirë këtu emrat më të shquar të saj, si Zëvëndës-Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Kerry, e pohoi qartë dhe fuqishëm që Marrëveshja për shënjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është e saktë, që ne nuk humbim mbi tetëdhjetë kilometra katrorë territor, dhe që Kuvendi i Kosovës do të duhej ta Ratifikonte këtë Marrëveshje, si kriter të fundit për të fituar të drejtën për qytetarët e Kosovës që ata të udhëtojnë pa viza në Evropë.
Patëm kthyer mbrapsht Amerikën në këtë rast, edhe pse askush këndejpari, prej atyre që na alarmonin të gjithë neve për humbjen e gjithë këtij territori, nuk ishte në gjendje të na ofrojë sqarim se cili na qenka interesi i SHBA-së që t’ia falë tokën e Kosovës shtetit të Malit të Zi.
Ju kujtohet, i gjithë ai debati për kufijtë dhe tokat, i cili zhvillohej të thuash 24 orë në ditë në politikën, shoqërinë dhe mediat kosovare, nuk prodhoi gjë të dobishme. Sot e kësaj dite kemi parti dhe politikanë qeveritarë dhe opozitarë (përkundër Ratifikimit të kësaj Marrëveshjeje para dy vitesh), që janë të bindur që ne i kemi dhënë Malit të Zi mbi tetë mijë hektar territor.
Sebepi i një tjetër debati poaq të mbrapsht dhe të kotë që po zhvillohet këtyre ditëve për raportet e Kosovës dhe SHBA-së, është tema e tarifës në mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnia dhe Hercegovina.
Të mos mashtrohemi, as këtu, siç ishte rasti me atë Marrëveshjen për kufi me Malin e Zi, nuk ka gjasa të del farë dobie prej diskutimeve të pafundme politike.
Në anën tjetër, nuk ka kurrfarë dyshimi që qytetarët e rëndomtë të këtij vendi janë tej mase të shqetësuar se ku ka mbërri kjo politikë kur flitet për marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-së.
Mund të merret lehtë me mend se çfarë rezultati do të sillte ta zëmë Referendumi që do ta trajtonte temën e tarifës dhe të Raporteve të Kosovës me Amerikën.