Nuk e duan Shyqyri Sadikun në Bordin Mbikëqyrës të përkohshëm të “Trepçës”

Rreth 100 banorë të Shalës së Bajgorës kanë protestuar edhe të hënën në Stan Tërg, duke kërkuar anulimin e konkursit, shkarkimin e menaxhmentit të “Trepçës”, si dhe kanë kundërshtuar emërimin e Shyqyri Sadikut në Bordin e përkohshëm Mbikëqyrës. Çka thuhet në deklaratën e Sindikatës së re të “Trepçës”?.

Lajme

10/03/2020 09:23

Kanë vazhduar protestat e banorëve të Shalës së Bajgorës edhe të hënën në Stan Tërg me kërkesa të njëjta, por edhe me kundërshtimin e emërimit të drejtorit të Prodhimit të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, në Bordin Mbikëqyrës të përkohshëm, pasi që ai ishte shkarkuar vetëm një javë më parë nga Bordi Mbikëqyrës i “Trepçës” bashkë edhe me 5 anëtarë të tjerë. Protestuesit shaljanë kanë kërkuar anulimin e menjëhershëm të konkursit, si dhe shkarkimin e menaxhmentit të “Trepçës”. Protestuesit me ultimatum kishin kërkuar nga Albin Kurti që ta shkarkojë menaxhmentin, në veçanti janë shprehur të mllefosur në drejtorin meanxhues të “Trepçës” Basri Ibrahimin, si dhe anulimin komplet të konkursit, shkruan Zëri.

Në anën tjetër Sindikata e re e Punëtorëve të “Trepçës”, e cila sipas krerëve të saj ka mbi 450 anëtarë, të gjithë minatorë dhe punëtorë, ka kundërshtuar emërimin e Shyqyri Sadikut në Bordin Mbikëqyrës të përkohshëm të “Trepçës”, për shkak, siç kanë thënë ata, “të përçarjeve të punëtorëve në minierë dhe dështimit të prodhimit”.

Sindikalistët, pra, kanë vazhduar ta kundërshtojnë Sadikun, derisa i kanë kërkuar atij (Sadikut) që të tregojë se për ç’arsye nuk i ka mbajtur premtimet që ua kishte dhënë punëtorëve derisa ishte kryetar i SP të Punëtorëve të “Trepçës” (sindikata e vjetër). “Ku janë premtimet e përfaqësuesit të punëtorëve të ‘Trepçës’ dhe të Sindikatës së tij? Të nderuar kolegë, punëtorë të ndërmarrjes ‘Trepça’: rritja e pagës prej 5 për qind vit për vit, rritja e pagës prej 20 për qind. Pse nuk po e kërkoni tani rritjen e pagës 20 për qind, pasi po deklaroni se është rritur prodhimi, ku janë pagat me kohë, pse tani nuk po ndaloni prodhimin për paga që po vonohen me muaj, pse i ndatë punëtorët në paga, dikujt 100 për qind të pagës e dikujt 60 për qind, ku janë vezët, që hynit në grevë për një vezë, ku është ushqimi i thatë, pse tani po lejoni shpenzimet e ushqimit trefish më të mëdha dhe kualiteti i njëjtë (gjithmonë jeni deklaruar se shpenzimet janë të mëdha dhe ushqimi i dobët), ku janë premtimet e stazhit të benificuar, ku është njohja e stazhit prej vitit 1989, sigurimi shëndetësor, dalja në pension me 70 për qind, pensioni invalidor, pse e ndatë ‘Trepçën’ në 13 pjesë, ku mbeti fabrika e municionit në Skenderaj, ia latë AKP-së?”. Sindikalistët kanë vazhduar më tutje, duke pyetur: “Ku janë kërkesat për 100 euro për vit të ri, ku janë kërkesat nga një dhuratë, ku janë premtimet që djemtë e minatorëve, të cilët dalin në pension, t’i marrin në punë, pse praktikantët po i mbani padrejtësisht qe 14 muaj dhe po i shtini me punu, sidomos Burim Halili dhe Hysni Ahmeti, po i shtini me punu në ndërrimin e tretë në prodhim, pse nuk i pranuat në punë edhe vajzat e ish-minatorëve të ndjerë, pse nuk i paguat praktikantët që ua premtuat nga 100 euro, ku është përmirësimi i kushteve në minierë, ku janë mjetet mbrojtëse, ku janë kushtet sanitare, ku është nepotizmi. Flitet që Shyqyri Sadiku i pranoi në punë të afërmit e tij, Xhafa, Bajraktari dhe Maliqi, si u ngritën në pozita udhëheqëse njerëz jokredibilë nga Kryesia e Sindikatës, njerëz pa bagazh profesional e inxhinierët mbetën anash”, kanë numëruar premtimet që nuk janë mbajtur nga Shyqyri Sadiku, kryetar i SP (të vjetër) dhe drejtor i Prodhimit.

Sindikalistët e rinj kanë kërkuar të dinë se si i mblodhi nënshkrimet Shyqyri Sadiku që të jetë prapë përfaqësues i punëtorëve. “Kjo si Sindikatë nuk i ka as 200 anëtarë, po rrejnë para medieve se i kanë 640 anëtarë. Shkurt, mos i rreni punëtorët dhe ne kërkojmë nga punëtorët të distancohen nga ky përfaqësues (Shyqyri Sadiku) dhe nga Sindikata e tij”, thuhet mes të tjerash në një deklaratë të Sindikatës së re të “Trepçës”, e cila u është dërguar medieve.