Vuçiqi për “Foreign Policy”: Serbia do ta vazhdojë fushatën e çnjohjeve
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë sot se Serbia do ta vazhdojë fushatën e saj të çnjohjeve për Kosovën.
Lajme
Vuçiq ka folur rreth raporteve Serbi-Kosovë, raporteve të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, si dhe oreksit të shtetit të tij për blerjen e sistemeve amerikane të armatimit.
Po ashtu Vuçiq ka folur edhe rreth hapave që do t’i ndërmarrë Serbia, kur është në pyetje Kosova. Derisa është shprehur se nuk e di se cila do të jetë forma përfundimtare e këtij procesi.
“Shpresojmë që ata do t’i heqin tarifat dhe kjo do të ndodhë shkaku i presionit amerikan mbi ta. Në të kundërtën, ata nuk do t’i heqin kurrë ato. Mezi po e pres krijimin e lidhjeve më të mira ekonomike e atëherë do të fillojmë ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se nevojiten më shumë bisedime.
Duke folur për paralajmërimet e Kurti për heqjen e tarifave, Vuçiq thotë se nuk do të përfundojë fushata serbe e çnjohjeve.
“Nuk mund të shpërblehesh, shkaku që ke vënë tarifa mbi Serbinë. Duhet të kthehemi tek të njëjtat pozicione që i kemi pasur, para se ata t’i vinin ato tarifa. E kuptoj domosdoshmërinë për dialog të njëmendtë dhe e kuptoj domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemit, gjë të cilën nuk e kam të lehtë ta them, pasi që nëse pyesni shumicën e serbëve, ata do ta preferonin një ‘konflikt të ngrirë’ karshi një zgjidhjeje të vetme. E unë nuk i përkas asaj shumice”, ka thënë ai.
Vuçiqi tutje ka thënë se duhet vazhduar dialogun, duke ndërmarrë përpjekje të domosdoshme për gjetjen e një kompromisi të mundshëm.
“Sërish, nuk e di se si mund të duket ajo, por duhet të bëhet në një mënyrë që do të ishte disfatë për të dyja palët, në mënyrë që të jetë fitore e vogël për të dyja palët”, ka thënë ai. /Lajmi.net/