Policia interviston ish-sekretarin e MIT-it nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve

Edhe një tjetër dyshim është ngritur ndaj ish-sekretarit të ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Betim Reçica.

Lajme

01/03/2020 18:01

Policia e Kosovës ka filluar hetimet ndaj ish-sekretarit të ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Betim Reçica nën dyshimet se ka paraqitur dokumente të falsifikuara kur ka garuar për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në MIT.

Lajmi.net ka mësuar se ai është intervistuar para tri ditëve nga hetuesit policore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Në policinë e Kosovës nuk kanë dashur të japin asnjë informacion rreth këtij rasti.

Reçica po dyshohet se ka falsifikuar dokumentin e përvojës së punës për t’u punësuar si sekretar në ministri.

Në vitin 2018, MIT shpalli konkurs për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm. Kriter kryesor për t’u përzgjedhur në këtë pozitë ishte së paku 8 vjet përvojë pune profesionale, përfshirë së paku 5 vjet ne nivelin drejtues, pas diplomimit në universitet.

Dyshimet janë se Reçica ka falsifikuar dokumente për ta përmbushur këtë kriter.

Ndërkaq, Qeverisë e Kosovës ka marr vendim që të shkarkohen disa sekretarë të ministrive në mesin e të cilëve është edhe sekretari Reçica.

Lajmi.net ka raportuar në vazhdimësi se ndaj Reçices ekzistojnë disa kallëzime penale. Ndërsa, e ka pranuar edhe vetë se është intervistuar nga hetuesia për disa punë që kanë të bëjnë që kanë të bëjnë me MIT-in. /Lajmi.net/