Agim Bahtiri i reagon ashpër Jehona Lushaku-Sadriut: Ose kërkon falje për shpifjen se kam qenë “gjysëm i dehur” ose shihemi në gjykatë!

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të ish-deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila kishte folur për sjelljen e tij gjatë natës së fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit. Lushaku-Sadriu në “Rubikon” kishte deklaruar se Bahtiri kishte ardhur në Kuvend për të kërkuar nënshkrime në një…

Lajme

07/05/2026 23:45

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të ish-deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila kishte folur për sjelljen e tij gjatë natës së fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit.

Lushaku-Sadriu në “Rubikon” kishte deklaruar se Bahtiri kishte ardhur në Kuvend për të kërkuar nënshkrime në një mënyrë që, sipas saj, e ka shpërfaqur “kulturën politike të Vetëvendosjes”, duke e cilësuar situatën si joserioze dhe të organizuar në formë “teatri politik”, transmeton lajmi.net.

Ajo kishte thënë gjithashtu se ishte përballur me një person që sipas saj ishte “gjysmë i pirë”, duke e konsideruar sjelljen e tij si të papranueshme në një proces të tillë institucional.

Pas këtyre deklaratave, Bahtiri ka reaguar duke i quajtur ato shpifje të rënda dhe të turpshme, duke kërkuar kërkimfalje publike.

“Shpifja jote se unë paskam qenë ‘gjysmë i dehur’ atë natë kur kam ardhur t’i kërkoj nënshkrimet, është e ulët dhe e turpshme, dhe për të duhet të kërkosh falje publike”, ka shkruar Bahtiri.

Ai ka theksuar se atë natë ndodhej në Kuvend për të kërkuar zgjidhje për procesin e zgjedhjes së presidentit dhe jo për arsye të tjera, duke akuzuar Lushaku-Sadriun për mungesë faktesh dhe për, siç tha ai, tentim për ta mbuluar dështimin politik të LDK-së.

Bahtiri ka shtuar se në mungesë të votave dhe përgjegjësisë politike, sipas tij, është zgjedhur “shpifja dhe teatri mediatik”.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar hapa ligjorë nëse nuk kërkohet falje.

“Zonja Lushaku i ka dy rrugë, ose kërkon falje për shpifjen se kam qenë ‘gjysmë i dehur’ ose shihemi në gjykatë”, ka deklaruar Bahtiri.

Postimi i plotë:

Jehona Lushaku,
Shpifja jote se unë paskam qenë “gjysmë i dehur” atë natë kur kam ardhur t’i kërkoj nënshkrimet, është e ulët dhe e turpshme, dhe për të duhet të kërkosh falje publike!
Të akuzosh dikë pa asnjë fakt vetëm sepse nuk arrin ta fshehësh dështimin politik të LDK-së, tregon nivelin ku keni rënë. Atë natë unë isha në Kuvend për të kërkuar zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa ju bredhnit korridoreve duke bërë kalkulime politike dhe duke u tallur para gazetarëve dhe para qytetarëve me një proces kushtetues që vetë e kishit bllokuar. Në mungesë votash dhe përgjegjësie, zgjodhët shpifjen dhe teatrin mediatik.
Mjaft më me përralla e gënjeshtra, se populli ua ka treguar vendin me votë, e me këto deklarata po tregoni se nuk keni edukatë e iu ka humbur rruga.
Zonja Lushaku i ka dy rrugë, ose kërkon falje për shpifjen se kam qenë “gjysëm i dehur” ose shihemi në gjykatë!/lajmi.net/