KF Dukagjini: Po punohet për shkarkimin e Agim Ademit, jemi kundër kësaj fushate denigruese
Skuadra e KF Dukagjinit të Klinës ka dhënë një paralajmërim, duke thënë se është duke u punuar për ta rrëzuar Agim Ademin, nga pozita e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Sport
KF Dukagjini i jep mbështetje të plotë kryetarit Ademi, teksa shton se nuk kanë ndërmend të bëhen aleat të asnjë individi apo grupacioni të caktuar, të cilët i etiketon si ‘dashakeq’.
Sipas skuadrës nga Klina ditëve të fundit është duke u punuar shumë që në çdo formë të shkarkohet Agim Ademi.
Njoftimin e plotë të KF Dukagjinit:
Klubi i futbollit Dukagjini nga Klina njofton mbarë opinionin e gjerë sportdashës dhe të gjitha klubet e futbollit të Kosovës se ne si klub jemi në perkrahje të pa rezervë të presidentit aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës, z Agim Ademi.
Ju bëjmë me dije se ne asnjëherë dhe për asnjë çmim nuk do bimë pre e asnjë individi dhe grupacioni të caktuar dashakeq.
Në momentin që e kemi votuar për president të federatës z Agim Ademi para një viti e ca kemi konsideruar që është njeriu adekuat për ta udhëhequr këtë institucion, gjë të cilën e ka dëshmuar tash e sa kohë që është në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Prandaj duke parë që ditët e fundit janë ngritur zëra dhe po punohet në çdo formë të shkakrkohet z Agim Ademi nga kreu i Federatës, ne si klub jemi kundër një fushate të tillë denigruese, sepse ne e duam një federatë funksionale, e duam një kombetare që çdo ditë po na bënë krenarë me sukseset e saja e me këtë i duam njerëzit që punojnë dhe japin çdo gjë nga vetja siç është rasti i z. Ademi.
Andaj përmes kësaj që u tha më lartë, ne si klub konsiderojmë që janë të kota përpjekjet e grupeve të caktuara klanore, biznesmen e sidomos politikanë që më së paku marrin vesh kah sporti, ta ndalin suksesin e punës së z Ademi dhe insititucionit që ai udhëheq.
Me respekt: Kryesia e KF Dukagjini – Klinë
/Lajmi.net/