Ramadani: Rinumërimi i votave dëshmoi avullimin e tyre
Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Burim Ramadani ka thënë sot se rinumërimi i votave nga KQZ po dëshmon “avullimin” e votave të tij, për të cilat kishte raportuar ditë më parë.
Lajme
Ramadani në një postim në Facebook ka shkruar se nga rinumërimi i votave në një vendvotim në gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë ka dalë se i ka 59 vota, dhe jo zero sa ishte shënuar më parë.
Postimi i plotë:
Vullneti i qytetarëve vihet në vend.
U shkrua 0 vota, dolën 59 vota.
Dua të falënderoj KQZ-në për vendimmarrjen që, ndër të tjera, të rinumërohet vendvotimi 2401A, Dhoma Nr.2, në Gjimnazin ‘Jeta e Re’ në Suharekë.
Të dhënat që publikova pak ditë më parë për ‘avullimin’ e votave dolën të sakta. Madje, nuk ishin 58, por 59 vota sipas rinumërimit, derisa në vendvotimin e kishin bërë 0 (zero) vota.
Unë asnjëherë, bash asnjëherë, nuk flas pa fakte dhe pa qenë 100% i sigurt për atë që e them.
Më vjen keq prej qytetarëve, familjarëve, miqve dhe mbështetësve që u shqetësuan dhe u nervozuan nga denoncimi publik që bëra. U bënë nervoz sepse besuan që kjo nuk mund të përmirësohet.
Por, isha i sigurt se do përmirësohet dhe ndodhi kështu!
Unë besoj në sistem. Unë besoj në të drejtën.
Falënderoj qytetarët e Suharekës për mbështetjen e plotë. /Lajmi.net/