Musliu: PDK-në është vështirë ta zësh në befasi – partia më e përgatitur për zgjedhje

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, është shprehur e bindur se Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet në seancën që është paralajmëruar të mbahet më 22 gusht.

Lajme

06/08/2019 18:58

“Unë e përshëndes caktimin e datës për mbajtjen e seancës më 22 gusht duke pasë parasysh që gjendja e krijuar ka ngjallë huti te qytetarët e Republikës së Kosovës. Përcaktimi i datës në një mënyrë i jep drejtim status-quos që është duke ndodhur në Kosovë”.

Musliu në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se askush nuk duhet të japë garanci për shpërndarjen e Kuvendit duke iu referuar faktit se Vetëvendosja sot ka deponuar nënshkrimet për thirrjen e një seance të tillë.

“Nuk e di pse duhet të japë garanci dikush përderisa dje është mbajtur mbledhja dhe të gjithë janë dakorduar”.

“Seanca do të ftohet më 22 gusht dhe nuk besoj se do të ketë asnjë problem apo ndonjë dështim të kësaj seance”.

Deputetja e PDK-së ka thënë se partitë opozitare ndonëse kanë kërkuar zgjedhje vazhdimisht nuk kanë qenë të përgatitura që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Konsideroj që ato parti të cilët e kanë pasë plot gojën zgjedhje që dy vjet i ka zënë goxha në huti dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj. Në momentin kur kryeministri dha dorëheqje pikërisht këtyre partive sikur nuk iu pëlqej shumë që vendi do të shkojë në zgjedhje”.

“Konsideroj se ato parti kanë qenë dhe janë të papërgatitura dhe mundohen që ta shfrytëzojnë komunikimin me publikun me mënyrën se si po sillen tani”.

“Kosova nuk e ka luksin dhe nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme që ne të merremi me atë se kush po garon i pari të deponojë nënshkrimet dhe kush po ofron më shumë garanci”.

“Ne duhet të sillemi në mënyrën më serioze dhe dinjitoze që vendi të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje që është tani”.

Por, ajo ka thënë se partia ku bën pjesë është partia që është më e përgatitura për të shkuar në zgjedhje.

“PDK fatmirësisht gjatë gjithë kohës ka qenë shuëmë aktive. Ajo çka PDK ka qenë e preokupuar ka qenë konsolidimi i strukturave, rizgjedhja e organeve drejtuese të partisë gjë që ka qenë në një frymë të jashtëzakonshme organizative”.

“Kemi arritur që të përfundojmë një proces zgjedhor të jashtëzakonshëm i cili ka kaluar në mënyrën të mirë të mundshme organizative. Energjia e PDK-së ka qenë e fokusuar në konstituimin e organeve të saj gjë që ia ka dalë me sukses”.

“Mendoj se asnjë parti politike në Kosovë nuk është më e përgatitur se PDK-ja për të shkuar në zgjedhje”.

“Pavarësisht momentumit se si ka ndodhur dorëheqja e kryeministrit, PDK-në është vështirë ta zësh në befasi sepse në çdo moment është e gatshme që të dalë para proceseve”.