Rusia kritikon bashkësinë ndërkombëtare: Nuk po i bëjnë presion të mjaftueshëm Kosovës për dialogun

Ambasadori i ri rus në Serbi, Aleksandar Botsan-Kharchenko, ka thënë sot se do të përpiqet të luftoj ‘krah për krah’ me Serbinë, për të rikthyer të drejtën ndërkombëtare në rajon një herë e përgjithmonë.

Lajme

01/08/2019 21:33

Kharchenko ka theksuar se Rusia do të mbështes një zgjidhje kompromisi në mes Beogradit dhe Prishtinës. Zgjidhje të cilën Rusia mund ta mbrojë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Gjatë një interviste për ‘Tanjug’, ai ka thënë se do të bashkëpunojë me Serbinë dhe ta ndihmojë atë për zgjidhjen e problemit të Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Sa i përket rajonit, dhe duke pasur parasysh përvojën e pjesëmarrjes në negociata ndërkombëtare të Dejtonit, dhe të ashtuquajtura negociata të statusit të Kosovës, unë mendoj se detyra ime është të kontribuoj në stabilizimin e rajonit”.

Ambasadori rus, ka theksuar se e gjithë bashkësia ndërkomëbtare tani duhet të rrisë fokusin e saj në Kosovë dhe në atë që po ndodh atje.

“Nuk ka presion të mjaftueshëm ndaj Prishtinës, dhe në mungesë të tij dialogu nuk mund të vazhdojë. Fajin e ka Prishtina, ata e kanë prishur dialogun dhe para kësaj nuk e kanë zbatuar marrëveshjen më të rëndësishëme për serbët që jetojnë në Kosovë, atë të Asociacionit. Marrëveshja ka mbetur në letër, pa realizim. BE nuk bëri presionin e duhur që Prishtina t’i zbatojë marrëveshjet”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, përderisa taksa mbetet, dialog nuk do të ketë.

Sa i përket një demarkacioni Kosovë-Serbi, ai ka thënë se nuk duan të imponojnë një zgjidhje ose të përcaktojnë drejtimin e negociatave.

Në fund, ai ka theksuar se Moska beson që Serbia do të jetë vendi kryesor në rajon. /Lajmi.net/