Ligji i ri për taksat, ja pse Neymar do zgjidhte Juventusin

Neymar shtyn për t’i dhënë një kthesë të fortë të ardhmes së tij, por te PSGja vazhdojnë ta mbajnë të prangosur, si rrjedhojë e kontratës që ai ka me parisienët.

Sport

26/07/2019 12:43

Emiri Naser Al-Khelaifi mësohet se ka pasur një bisedë të gjatë telefonike me presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, sepse siç nënvizon “L’Equipe”, katalanasit as që kanë ndërmend që ta lëshojnë sulmuesin brazilian, por nga ana tjetër duan edhe një favor nga ana e francezëve për ta paguar ndoshta sezonin e ardhshëm kartonin e lojtarit.

Por, edhe pse me këto kushte, PSG-ja as që ka ndërmend të hyjë në bisedime. Është spanjollja “Mundo Deportivo” që këmbëngul se Neymar ka vendosur që të vlerësojë mbi të gjitha edhe aspektet financiare personale, duke parë telashet e mëdha me të cilat do i duhet të përballet.

Në Spanjë, kthehet apo jo te Barcelona, atë e pret një gjyq për evazion fiskal prej 35.5 milionë eurosh që duhet të zgjidhet, por në të njëjtën kohë, nëse arrin vërtet që të bëjë këtë rikthim të bujshëm, 27- vjeçari do të përballet me taksa shumë të larta.

Arsyeja është se ligji spanjoll thekson se për çdo të huaj që fiton mbi 2 milionë euro në sezon, në vitin e pestë të kontratës (4 i ka kryer tashmë me Barcelonën), nuk do të taktohet më me 24 për qind, por me 52 për qind, gjë e cila tremb jo pak Neymar.

Ndërsa në Itali, gjërat kanë ndryshuar, falë ligjit të ri të hyrë në fuqi tri muaj më parë. Për milionerët, nga Italia e mesme e deri në veri, kushdo do të taksohet vetëm 30 për qind, nga 49 që ishte më parë, ndërsa në jug vetëm me 10 për qind.

E gjithë kjo do të bënte që Neymar të preferonte shumë herë më shumë Italinë, pikërisht Juventusin, ku do e mirëpriste miku i tij, Cristiano Ronaldo.

Madje, ky i fundit mund të jetë arsyeja se përse papritur bardhezinjtë shohin mundësinë e afrimit të brazilianit dhe nxjerrjen në shitje të disa sulmuesve me radhë si Dybala, Kean apo edhe Mandzukic.

Fundja, me largimin e këtyre do të financohej edhe kartoni i Neymar, ndonëse paga mbetet problemi më i madh. Te PSG-ja Neymar fiton 38 milionë euro neto, por në Torino, Juventusi mund të arrijë deri te 20 milionët në sezon dhe për momentin diferenca duket vërtet shumë e madhe./PanoramaSport/