Palmer: Duhet të gjendet mënyra që Serbia dhe Kosova të kthehen në bisedime
Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer ka folur për tema të ndryshme gjatë një interviste për "Bbc" në gjuhën serbe.

Lajme
Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer ka folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, rolit të Uashingtonit, zgjedhjeve të ardhshme në Serbi dhe tensionit në rajon.
Saktësisht 30 vjet nga fjalimi kontravers i Slobodan Millosheviqit në Gazimestan, Palmer ka thënë se Serbi dhe Kosova duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve para zgjedhjeve lokale në Serbi, të paralajmëruara në pranverë të vitit të ardhshëm.
“Kur bëhet fjalë për kalendare politike në Serbi dhe Kosovë, tani është hapur dritarja e mundësive që të kthehen në bisedime dhe të shënojnë progres”, deklaroi Palmer gjatë një interviste për “BBC” në gjuhën serbe, transmeton lajmi.net.
“Zgjedhjet në Serbi me shumë mundësi do të jenë në pranverën e ardhshme, andaj është e rëndësishme që bisedimet të vazhdojnë para tyre, sepse cikli i zgjedhjeve do t’i vështirësonte ato”, theksoi ai.
Vazhdimi i dialogut
Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës janë në “pauzë” nga nëntori i vitit të kaluar kur Kosova vendosi taksë prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Pritej një kontakt i ri më 1 korrik në Paris por Samiti i ftuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel është anuluar, transmeton lajmi.net.
Palmer për “BBC” në gjuhën serbe ka thënë se është e nevojshme të gjendet një mënyrë se si Beogradi dhe Prishtina të kthehen në tavolinën e bisedimeve.
“Taksa e vendosur nga Kosova ndaj mallrave serbe dhe boshnjake duhet të hiqet për të vazhduar dialogu”, tha ai.
Palmer nuk është përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse ky ose Vidovdani i ardhshëm do të jenë sërish historik kur bëhet fjalë për Kosovën.
“Shpresoj që të dyja palët të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje në normalizimin e plotë dhe që kjo të ndodh sa më parë, por nuk do të përmendja ndonjë periudhë kohore për këtë”, theksoi ai.
“Gjithçka varet, sa të dyja palët do të jenë të gatshme të vazhdojnë në atë rrugë, së pari t’u kthehen bisedimeve, pastaj të arrijnë marrëveshje”, vazhdoi Palmer për “BBC” në gjuhën serbe, transmeton lajmi.net.
Tensionet e ngritura
Njësoj sikurse shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini e cila frikësohet se në Ballkan mund të shfaqen “fuqi të fshehta” nga e kaluara, madje edhe të ketë konflikt, nëse rajoni nuk e shfrytëzon këtë mundësi, Palmer pranon se tensioni është ngritur në rajon.
“Tensionet dërgojnë tek vlerësimet e gabuara, vlerësimet e gabuara mund të sjellin dhunë, e dhuna mund të kalojë në konflikt. Andaj, ekziston shqetësimi, edhe pse Amerika është e vendosur për arritjen e marrëveshjes dhe mbështetjen e këtyre shteteve në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, u shpreh Palmer. /Lajmi.net/