Limaj në Tiranë: Spektakli mbaroi, koha për marrëveshje konkrete
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh koordinator kombëtar i dy qeverive për mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga Forumi Ekonomik mbarëshqiptar.
Lajme
Ai ka pohuar se është kthyer në një zëdhënës të prodhuesve vendorë, ndërsa shton se fuqizimi i tyre rrit të ardhurat dhe shton numrin e të punësuarve në vend.
Limaj gjithashtu ka folur edhe për takimin e djeshëm koordinues mes dikastereve qeveritare në Tiranë, ku tha se koha e spektakleve ka përfunduar dhe aktualisht është koha për marrëveshje konkrete.
“Ne kemi pesë vendime që janë marrë në mbledhjen e Pejës. Të pesë marrëveshjet janë në realizim e sipër. Pas kësaj mbledhje kemi krijuar grupe punuese për të përcjellë sa po realizohen ato marrëveshje. Kosova dhe Shqipëria do ta ketë çmimin më të lirë nga 15 qershori përkatësisht nga 1 korriku dhe qytetarët tonë nuk do të paguajnë atë çmim. Nga tani ka filluar njohja e patentë- shoferëve. Sa i përket qarkullimit të qytetarëve në pikën kufitare Morinë- Vermicë, kanë qenë disa probleme teknike për qarkullim të njerëzve në pikën kufitare dhe në bashkëpunim të ngushte ministritë përkatëse do t’i largojnë ato pengesa të cilat shkaktojnë telashe për të lëvizur”, ka thënë Limaj.
Sa i përket marrëveshjes për njohje të certifikatave, ai ka bërë me dije se janë mbi 42 certifikata të cilat njihen në mënyre reciproke dhe çdo certifikate që lëshohet nga një agjenci në Tiranë dhe Prishtinë njihet anasjelltas.
“Çështja e skanerit dhe taksa e rrugës. Kem biseduar një kohë të gjatë për të parë si mund të dalim nga kjo situatë. Ne jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka obligime shtetërore, por ne mendojmë se për një vendim të keq të Kuvendit të Kosovës të mos vuajnë qytetarët e Kosovës dhe anasjelltas”, ka shtuar Limaj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës ka ftuar Qeverinë shqiptare dhe Shoqatat Tregtare nga Shqipëria që të bëjnë listën nëse kanë ndonjë pengesë burokratike apo të çfarëdo natyre nga Kosova.
“Ne do të donim që bizneset të bëjnë konzorciume për të synuar tregjet e treta. Ne ju ftojmë ta gjeni interesin e përbashkët dhe kompanitë të konkurrojnë në tregjet e treta. Preokupim im është klasifikimi. Korridori i TAP-it. Ne jemi të interesuar për rrjetin e klasifikimit që duhet bërë në Kosovë dhe Shqipëri”- shton ai. /Lajmi.net/