Veseli: Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes në Uashington mbështet ushtrinë e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në SHBA, sot ka zhvilluar një takim në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington.
Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot ka qëndruar në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Veseli ka bërë të ditur se ky Universitet është një nga institucionet që e mbështetë ngritjen profesionale për oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Veseli ka bërë të ditur se me takimin me Vice Admiralin Fritz Roege dhe kolegët e tij, kanë diskutuar edhe për Ushtrinë e Kosovës, e siç ka bërë të ditur Veseli, ka marrë mbështetje për formimin e Ushtrisë, përcjell lajmi.net.
Postimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:
Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes në Washington është një nga institucionet që po e mbështetë ngritjen profesionale për oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Takova në këtë universitet, Vice Admiralin Fritz Roege, të cilin e falënderova për përkrahjen.
Me të dhe kolegët e tij diskutuam për mbështetjen në të ardhmen për institucionet tona të sigurisë, në veçanti Ushtrisë së Kosovës.
Shumë i lumtur që kjo mbështetje nuk do të mungojë.
Gjate vizitës në këtë Universitet takova edhe nënkolonelin e FSK-së, Enver Voca si dhe majorin e Policisë së Kosovës, Luan Keka të cilët po kryejnë studime në ketë universitet.
Edhe shumë të tjerë do të vijnë falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Lajmi.net/