Thaçi e qartëson pozicionin: As ndarje, as shkëmbim territori, vetëm bashkim i Luginës me Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se kërkesa e Luginës së Preshevës për bashkim nuk nënkupton as ndarje, as shkëmbim të territoreve, dhe as autonomi të serbëve, mirëpo do të ishte njohje reciproke.
Lajme
Presidenti ka theksuar se synimi i tij nuk është ndryshimi i kufijve por është korrigjimi i tyre.
“Korrigjimi nënkupton bashkëngjitje të plotë me Kosovën të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Nëse ndodh pajtueshmëri atëherë askush nuk do të del kundër kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Thaçi, raporton lajmi.net.
Ai ka shtuar se kërkesën e Luginës do ta prezantoj në Bruksel, dhe nëse nuk arrihet marrëveshje, atëherë do të ketë rikthim në pozicionet fillestare.
Sipas presidentit, takimi me liderët e Preshevës ka bërë që gjërat të ndryshojnë. “Unë nuk jam njeri qe nuk ndryshoj. Më herët nuk kemi pasur një kërkesë të institucionalizuar, ndërkaq tash e kemi një të tillë qe mua më obligon që ta institucionalizoj edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se nëse veç është e nevojshme ndryshimi i Kushtetutës për bashkimin e Luginës, atëherë ai është pro një ndryshimi të tillë. Dhe nëse një gjë të tillë nuk e miraton kuvendi, opsioni tjetër është referendumi. /Lajmi.net/